E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vetëvritet me armën e shërbimit polici i Burgut të Fushë-Krujës

Vetëvritet me pistoletën e shërbimit një punonjës policie i Burgut të Fushë-Krujës. Kjo është vetëvrasja e dytë e një punonjësi policie brenda një harku të shkurtër kohor. Dy viktimat kanë të përbashkët jo vetëm të qenit nën uniformën e Policisë së Shtetit, por edhe moshën e përafërt, si dhe të punuarit në burgje. Viktima më e fundit është 30-vjeçari Arjan Merlika nga Kruja. Kishte pak kohë që ishte fejuar, por në orët e para të mëngjesit të djeshëm ka përdorur një pistoletë të tipit TT për t‘i dhënë fund jetës në banesën e tij, në kushtet e një depresioni nervor. Ashtu si edhe Elton Ahmati, 28-vjeçari nga Elbasani, punonjës policie në Burgun e Peqinit, Merlika ka përdorur pistoletën e shërbimit, armë në pronësi të shtetit shqiptar, për t‘u ndarë nga jeta. Rreth orës 06.55 të mëngjesit të djeshëm, Arjan Merlika, 30-vjeçari me banim në lagjen 3 të Krujës dhe me detyrë punonjës policie në Burgun e Zaharisë, është gjetur i vetëplagosur me pistoletën e shërbimit në kokë. Ka qenë tejet e vështirë për familjarët që të shihnin djalin të gjakosur dhe me një plagë në kokë, por e kanë mbledhur veten dhe me shpejtësi e kanë dërguar sa më shpejt kanë mundur në Spitalin Ushtarak të Tiranës për t‘i dhënë ndihmën e nevojshme mjekësore. Ndonëse ka arritur ende gjallë në spital dhe mjekët kanë tentuar të ndërhyjnë për ta mbajtur në jetë, ai nuk ka mundur të rezistojë. Plaga dhe rruga nga qyteti i Krujës deri në Tiranë e kanë bërë thuajse të pamundur shpëtimin e jetës së tij. Burime të policisë, që u referohen atyre mjekësore, thanë se si rezultat i plagës së marrë, i riu nuk ka mundur të mbijetojë dhe ka ndërruar jetë rreth orës 07.45 në ambientet e Spitalit Ushtarak në Tiranë, nga ku familjarët kanë tërhequr trupin e pajetë për t‘i bërë shërbimet e fundit. Sipas dëshmisë së familjarëve dhe të njohurve, kohët e fundit Merlika kishte shfaqur shenja të depresionit nervor dhe ishte një tip i mbyllur. Asnjëherë nuk hapej me njeri për problemet e veta dhe rrjedhimisht asnjë nga familjarët nuk e dinte nëse kishte diçka që e mundonte apo jo. Kohët e fundit, familja ishte gëzuar për fejesën e djalit të tyre, duke menduar se ky ndryshim në jetën e Merlikës do të pasohej nga më shumë dëshirë për jetën aktive dhe për familjen e re që do të ndërtonte. Ekspertët, pas këqyrjes së kufomës dhe plagës në kokën e tij, kanë arritur në përfundimin se vdekja e Merlikës ishte një rast i qartë vetëvrasjeje, megjithatë po hetohet për të zbardhur plotësisht rastin dhe motivet që e shtynë të riun drejt aktit të vetëflijimit.

Precedenti

Në fundjavë, një punonjës i Policisë së Burgjeve i dha fund jetës me armën e shërbimit në shtëpinë e të vëllait, emigrant në Greqi, në një lagje periferike të Elbasanit. Viktima ishte Elton Ahmati, 28 vjeç, i martuar dhe me një vajzë. Ndërsa kishte nisur të shoqen me fëmijën te prindërit e saj për pak ditë pushime, ka vendosur të vrasë veten pa pasur ndonjë shkak të dukshëm. Ka qenë i ati që e ka gjetur të vdekur në shtëpinë e djalit tjetër. Ashtu si viktima e Krujës, edhe ai e ka vrarë veten me një plumb në kokë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›