Prishja e trotuarit, nën hetim dy administratorë
Nën hetim administratorët e firmave ndërtuese që shkaktuan shembjen e trotuarit. Prokuroria e Durrësit ka marrë në dorë hetimet për shkatërrimin e trotuarit në rrugën "Mujo Ulqinaku" të qytetit bregdetar, ndërsa firmat ndërtuese kanë nisur punën për kthimin në identitet të rrugës së dëmtuar. Akuza për shkatërrimin e rrugëve është ngritur ndaj administratorëve të dy firmave ndërtuese "V-Ndërtim" shpk dhe "Marena" shpk, përkatësisht shtetasve Fatjon Vogli, 31 vjeç, banor i lagjes 2 të Durrësit dhe Ramazan Hasanbelliu, 47 vjeç, me banim në plazh. Ata do të ndiqen penalisht në gjendje të lirë. Shkak i prishjes, sipas ekspertëve, kanë qenë gërmimet e bëra nga dy firmat e ndërtimit për çeljen e themeleve të një pallati 10-katësh që po ndërtohet buzë rrugës. Në këtë segment rrugor kalon tubacioni i ujit të pijshëm, i cili është dëmtuar dhe në orarin e furnizimit me ujë të zonës dheu ka rrëshqitur, duke shkaktuar edhe shembjen e trotuarit dhe një pjese të rrugës. Pallati po ndërtohet në lagjen 5 të qytetit bregdetar dhe natën mes së dielës dhe së hënës është shembur i gjithë trotuari që ndodhej buzë themeleve të hapura. Në njoftimin zyrtar të Policisë së Durrësit thuhet: "Shkaku i prishjes së rrugës ka qenë se dy firmat e ndërtimit po ndërtojnë një pallat 10-katësh, i cili është në fazën e themeleve dhe gropa e hapur është paralel me rrugën e dëmtuar. Në atë segment rruge kalon tubacioni i ujit të pijshëm, i cili është dëmtuar. Në kohën e ardhjes së ujit, ai ka gërryer dheun që ka rrëshqitur, duke pësuar ulje dhe dëmtuar rrugën".