Plagoset 38-vjeçari, nuk dha përparësi në zebra

(E plotësuar) Me urdhër të prokurorit, dy personave të përfshirë në rrahjen që ka ndodhur sot në mëngjes të “Rrethi i Flamurit” u është shqiptuar masa e ndalimit policor prej 48 orësh.
Njëri prej tyre është dërguar në qendrën e ndalimit përderisa tjetri ndodhet i shtrirë për kurim në emergjencë.
----
Burimet e Indeksonline brenda policisë kanë treguar se ky sherr ka plasur pasi që personi S.K., 38-vjeç, shoferi i veturës "BMW X-5", nuk i ka dhënë përparësi kalimi në zebra personit me iniciale B.C, 46-vjeç. Ky i fundit e ka përdorur thikën duke e lënduar 38-vjeçarin.
Sipas informacioneve që ka policia, gjendja shëndetësore e të lënduarve është jashtë rrezikut për jetën. Policia ende ndodhet në vendin e ngjarjes duke u marrë me hetimin e këtij rasti.
-----
Një person është plagosur me thikë sot rreth në ora 9 e 35 minuta të “Rrethi i Flamurit” në Prishtinë.
Policia me të gjitha njësitet e saj ndodhet në vendin e ngjarjes, e cila ka bërë sigurimin e vendit ku ka ndodhur krimi.
Dëshmitarët e rastit thonë se dy persona janë dërguar urgjentisht në emergjencën e QKUK-së pasi që kanë pranuar lëndime trupore.
Sipas dëshmitarëve të rastit, krejt ky incident ka ardhur për shkak të mos përparësisë së kalimit në zebra.
Në vendin e krimit policia ka konfiskuar veturën “BMW X-5” dhe thikën me të cilën është kryer krimi.
Afër vendit të ngjarjes ka qëlluar edhe një zyrtar policor i cili ka reaguar menjëherë në rast.
Mësohet se të përfshirët në këtë rrahje, më herët nuk kanë pasur ndonjë konflikt mes vete.
Rastin e ka konfirmuar për indeksonline edhe Flora Ahmeti, zyrtare për informim në Policinë Rajonale në Prishtinë.
Ajo tha se nga përleshja, dy persona kanë marrë lëndime, njëri prej tyre është i therur me thikë.
Policia është duke hetuar ketë rast./ Valdrin Krasniqi/ Indeksonline/