Plagoset aksidentalisht me armën e shërbimit marinari
Një marinar është plagosur rëndë dje me armë zjarri ndërsa kryente shërbimin ushtarak në repartin e marinës, në qytetin e Sarandës. Burime nga policia lokale bënë të ditur se shtetasi Marenglen Caushi, i cili kryente shërbimin e detyrueshëm ushtarak në repartin e marinës në Sarandë, është plagosur me armën e shërbimit në kofshë dje në orët e para të mbrëmjes. Marinari është dërguar menjëherë në spitalin e qytetit të Sarandës, por mjekët kanë vendosur ta dërgojnë në Tiranë, pasi plumbi në rrëzë të kofshës i kishte prekur femurin dhe ndërhyrja ishte shumë delikate. Mjekët thanë se ushtari i plagosur kishte humbur shumë gjak dhe për këtë arsye është kërkuar ndihma e komunitetit. Pas thirrjes së bërë nga mjekët, shumë qytetarë të Sarandës janë ofruar për të dhuruar gjak, duke i ardhur në ndihmë të riut. Ministria e Mbrojtjes ka vënë në gatishmëri një helikopter që ka bërë transportimin e shpejtë të marinarit të plagosur drejt Spitalit Ushtarak të Tiranës. Ndërkohë, në Sarandë kanë nisur hetimet për zbardhjen e ngjarjes.