E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gramsh, vdesin të helmuara nënë e bijë

Shkon për darkë te babai, vdes e helmuar bashkë me të bijën. Nafije Buku, 39 vjeçe, dhe vajza e saj 10 vjeçe, ndërruan jetë dje në orët e para të mëngjesit në spitalin e qytetit të Gramshit. Mjekët thanë se gruaja dhe vajza e saj kishin simptomat e një helmimi të fortë dhe pavarësisht përpjekjeve maksimale të stafit të spitalit, nuk është arritur që ato të shpëtohen.

Nënë e bijë u dërguan në spital në orët e vona të së mërkurës, nga të afërm të tyre. Ato ishin banore të fshatit Bullcar të Rrethit të Gramshit dhe kishin shkuar për darkë në fshatin Kukur të këtij rrethi, në shtëpinë e babait të 39-vjeçares Nafije Bulku. Sipas dëshmive të familjarëve të dyja viktimat, nënë e bijë, kishin shfaqur shqetësime pak minuta pasi kishin mbaruar darkën dhe kur gjendja e tyre është përkeqësuar janë dërguar në spitalin e Gramshit. Aty i janë nënshtruar lavazhit dhe janë trajtuar me antibiotikë dhe serume, por rreth orës 03:00 kanë ndërruar jetë, njëra pas tjetrës.

Menjëherë pas konstatimit të vdekjeve është njoftuar Policia e Gramshit që ka nisur hetimet për këtë rast. Ekspertët e policisë kanë dërguar trupat e pajetë në morg, ku kanë kryer autopsinë dhe kanë marrë disa kampione për të kryer analiza toksikologjike. Një ekspert mjekoligjor tha se të gjitha simptomat që kanë shfaqur nënë e bijë përputhen me helmimin nga ushqimi, gjë që përforcohet edhe nga autopsia. Por fakti që nënë e bijë kanë ngrënë në darkë të njëjtat ushqime me familjarët e tjerë që janë shëndoshë e mirë ka shtuar dyshimet mbi këtë rast.

Një përgjigje e saktë do të jepet vetëm pas analizave toksikologjike që do t‘u bëhen mostrave të marra nga trupat e pajetë të gruas 39-vjeçare dhe vajzës së saj 10 vjeçe.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›