Nis puna për buxhetin 2010
Mbarimi i pjesës së parë të vitit lejon Ministrinë e Financave që të nisë përgatitjet paraprake për hartimin e projektbuxhetit për vitin që vjen. Duke pasur parasysh se ky vit nuk kishte buxhet suplementar, për ekspertët e Financave nuk do të jetë i vështirë parashikimi dhe llogaritja e shpenzimeve. Përveç kësaj, të gjitha ministrisë dhe institucionet e tjera kryesore kanë përgatitur secila nga një projektbuxhet për tre vitet e ardhshme dhe limitet e shpenzimeve, duke i argumentuar bashkë me projektin. Ndryshe nga vitet e mëparshme, Ministria e Arsimit parashikohet të marrë një pjesë të konsiderueshme të buxhetit, përfshi dhe shëndetësia. Mësohet gjithashtu se hartimi i buxhetit do të kalojë përmes formularëve që ministritë duhet të plotësojnë. Çdo kërkesë për financim projekti duhet të jetë e shoqëruar me detaje sqaruese, deri dhe në formulën e kosto/përfitim. Procedurat që ndjek Ministria e Financave për hartimin e Buxhetit të Shtetit kanë marrë vlerësime nga Banka Botërore, deri në atë pikë sa ia ka sugjeruar Kosovës që t‘i marrë si shembull për projektet gjatë përpilimit të zërave për shpenzime. Mendohet që projektbuxheti të jetë gati për miratim gjatë shtatorit, në mënyrë që brenda nëntorit të ketë përfunduar e gjithë faza e aprovimit nga Kuvendi i Shqipërisë, tashmë me deputetë të rinj.