E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vidhet për herë të tretë linja e energjisë elektrike

Në një hark kohor prej dy javësh, kablloja që furnizon me energji elektrike zonën e Zvërnecit është vjedhur për herë të tretë, duke lënë pa energji elektrike fshatrat Nartë e Zvërnec, si dhe zonat përreth. Si pasojë e vjedhjes ka mbetur pa energji elektrike edhe stacioni i antenave të sinjaleve radiotelevizive për qytetin e Vlorës dhe rrethinat. Transmetimet radiotelevizive janë ndërprerë që nga mbrëmja e së mërkurës deri të enjten në mëngjes. Edhe këtë herë vjedhja e kabllos është bërë pranë vendit ku u vodh herën e dytë, në zonën e quajtur Jali i Nartës, por dëmi është edhe më i madh, pasi janë vjedhur qindra metra kabllo. Policia e Vlorës ka nisur hetimin për rastin, por nuk ka zbuluar asgjë, njësoj si në dy rastet e tjera. Vjedhja e linjave elektrike mendohet se bëhet nga tregtarët e skrapit, të cilët gjuajnë çdo objekt me përbërje metalike, për ta shitur në tregun e zi. Gjithsesi, policia po heton edhe në pistën e sabotimit, pasi është hera e tretë që vjedhja e kabllos bëhet në të njëjtin vend, duke dëmtuar të njëjtën zonë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›