E Shtunë, 31 Tetor 2026

Reagimi i qeverisë: Paratë nuk janë problem, madje i kemi me tepricë

Qeveria shqiptare i disponon paratë e nevojshme për të kryer investime publike. Madje, sipas Kryeministrit Sali Berisha janë me tepricë dhe mund të hidhen për projekte të mëdha. Një ditë pas vendimit për të ndaluar prokurimet në muajin gusht, ka reaguar Kryeministri, i cili garantoi qëndrueshmëri në likuiditete. Duke kundërshtuar qëndrimet në media se qeveria nuk ka para për investimet, Berisha u përgjigj se "nuk ekziston absolutisht asnjë problem likuiditetesh. Në rast se do të dini të vërtetën i kemi pak me tepricë dhe ndofta do të lindë nevoja të kthejmë një pjesë". Shkak kryesor për Kryeministrin është ndërrimi i qeverisë, e cila pritet të mandatohet në shtator. "Siç e dini në muajin shtator një qeveri tjetër nis nga puna. Unë nuk mund të them se kjo qeveri që vjen sapo të instalohet ka të gjitha kapacitet për të ushtruar të gjitha prerogativat e saj, sepse një ministër apo zëvendësministër, në fillim të detyrës së tij, do të konsolidojë administratën, para se të merret me këto çështje. Pra, kjo ka të bëjë thjesht me ndryshimin e qeverisë", u shpreh kreu i qeverisë.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›