Plagoset i riu në një atentat pranë xhamisë
Telashet nuk kanë të sosur për familjen Allushi në Tiranë. Një pjesëtar tjetër i familjes ka mbetur i plagosur gjatë një atentati, por fatmirësisht jashtë rrezikut për jetën. Shpend Allushi është qëlluar me armë zjarri në orët e para të mëngjesit, kur ka qenë duke kaluar në rrugën "Myslym Keta", pranë xhamisë. Burimet policore të kryeqytetit bënë të ditur se ngjarja është regjistruar në territorin nën juridiksionin e Komisariatit Nr. 4, të cilët janë njoftuar për një plagosje rreth orës 05:30 të mëngjesit. Sipas të dhënave hetimore, me t‘u njoftuar në vendngjarje kanë shkuar shërbimet e këtij komisariati, të cilat janë përforcuar edhe nga ato të Drejtorisë së Tiranës. Policia është vënë në dijeni se Shpend Allushi kishte marrë një plagë në krah dhe është dërguar me urgjencë në spital. Ai, pasi ka marrë mjekimin e duhur, i është nënshtruar një seance pyetjesh nga oficeri i policisë gjyqësore, duke treguar sesi kishte ndodhur ngjarja. Uniformat blu shpjeguan se pas marrjes së deklaratës së tij ka nisur puna për identifikimin dhe kapjen e autorëve. Gjithashtu, policia tha se i dëmtuari i përket të njëjtës familje, që pak kohë më parë, pati një konflikt në një lokal në Linzë me disa persona të tjerë. Madje, për këtë ngjarje, policia arrestoi kushërinjtë Urim dhe Alban Allushi, pasi më 22 shkurt të këtij viti, rreth orës 16:30, në parkingun e kompleksit "Golden Gold", në pronësi të vëllezërve Urim dhe Agron Allushi, kanë plagosur një person. Një person kishte telefonuar në sallën operative dhe deklaruar se një i ri po qëllonte me pistoletë ndaj një makine, ku ndodheshin katër persona.