E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kosova braktis Forumin e CEFTA-s

Delegacioni nga Kosova e ka braktisur takimin e vendeve anëtare të Marrëveshjes për Tregti të Lirë të Evropës Qendrore-CEFTA, që po mbahet në Podgoricë. Kryesuesi i delegacionit, Frymëzim Isufaj, tha se, shkak është bërë insistimi i autoriteteve të Malit të Zi që të përfaqësohen nën mbishkrimin e UNMIK-ut dhe refuzimit që në vend të tij të vendoset emri i Kosovës. Në takim ishte parashikuar të diskutohej për rishikimin e politikave tregtare bujqësore, duke përfshirë edhe masat mbrojtëse, subvencionet në eksport, si dhe këmbimin e informatave për tregtinë e produkteve bujqësore. Ndërkohë, mësohet se disa zyrtarë të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, morën pjesë dje në disa takime joformale të pikave të kontaktit të CEFTA-s, si dhe takime dypalëshe me delegacionet tjera. Problemet e Kosovës me CEFTA-n filluan pas bllokadës së eksportit të Kosovës në Serbi dhe Bosnjë-Hercegovinë. Ministri i Ekonomisë dhe Financave, Ahmet Shala, thotë se çështja është në rrugë drejt zgjidhjes.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›