E Diel, 1 Nëntor 2026

Plagoset kandidati për kryekomunar në Lezhë, pranga autorit

LEZHE- Është arrestuar autori i plagosjes së kandidatit të Lidhjes Demokristiane për komunën Balldre Zef Doçi.

Ngjarja ndodhi mbrëmjen e të shtunes kur kandidati Doçi, po kthehej në fshatin Balldre pas një takimi elektoral me banorë të fshatit Kakarriq. Sipas burimeve të policisë së Lezhës ka rënë në pritën e disa personave me dy automjete në aksin Balldre-Lezhë, të cilët fillimisht kanë debatuar me Doçin, ndërsa më pas njëri prej tyre e ka qëlluar me pistolete 50 vjecarin.

Sot në mëngjes policia informon se në pranga, si i dyshuar kryesor për ngjarjen është vënë Almarin Marinaj, 27 vjec. Sipas policisë atentati nuk ka pasur arsye politike, ndërsa burime konfidenciale të cituara nga NEWS24 bëjnë të ditur se Marinaj ishte përfaqësues i strukturave të Partisë Demokratike në Komisionin e Qendrave të Votimit në komunën Balldre. Ndërkohë po punohet për të zbardhur emrat e personave të tjerë që kanë marrë pjesë në plagosje.

Aktualisht Zef Doçi ndodhet në Spital Ushtarak për të marrë mjekimin e specializuar por është jashtë rrezikut për jetën. 50 vjecari është kandidat i LDK-se i mbështetur nga koalicioni “Aleanca për Qytetarin” për komunën Balldre të Lezhës. Rival i tij është Gjek Cali, i cili ka marrë dy mandate e kërkon mandatin e tretë dhe është përfaqësues i Partisë Socialiste. Doçi kandidon për herë të parë, njihet si biznesmen, ku, mes të tjerave, ka një baxho qumështi.

Kreu i LDK, Nikollë Lesi ka reaguar sot për plagosjen e kandidatit për zgjedhjet vendore të 8 majit i grupimit "Aleanca për qytetarin" për komunen Balldre të Lezhës, Zef Doci rreth 50 vjeç. Lesi theksoi se kandidatin para se të ndodhte akti e kishin kërcënuar me vdekje. Lesi theksoi se për detajet rreth ngjarjes policia po heton intensivisht.

(s.g/balkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›