Libri, zbardhet padia e Ilir Hoxhës

Nexhmije Hoxha dhe djali i saj Ilir Hoxha gjatë homazheve për Enver Hoxhën
Një prokuror caktohet me verifikimin e padisë për Arkivin e Shtetit dhe gazetarin Blendi Fevziu.
Djali i Enverit, më 29 shkurt: Dokumentet personale u zhdukën.
Ilir Hoxha, djali i ish-diktatorit të Shqipërisë Enver Hoxha, pretendon se ditarët origjinale të babait të tij nuk janë në Arkivin e Shtetit. Ndonëse në një kohë të pacaktuar, Ilir Hoxha në një padi të dorëzuar në Prokurorinë e Tiranës më 29 shkurt 2012, thekson se sipas përgjigjeve të marra zyrtarisht, ditarët origjinale dhe disa filmime të babait të tij nuk gjenden në Arkivin e Shtetit. Sipas organit të akuzës “Më datë 29 shkurt 2012, pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë mbërriti me postë padia penale me nënshkrues shtetasin Ilir Hoxha dhe persona me dijeni, bashkëshorten e kallëzuesit, Teuta Hoxha dhe nënën e paditësit, Nexhmije Hoxha. Padia ishte nisur në rrugë postare në datën 27 shkurt”. Fakti i kallëzuar është zhdukja e dokumenteve personale në origjinal, kujtime dhe filmime private të ish-diktatorit të Shqipërisë, Enver Hoxha. Pasi ka kaluar në fazën e verifikimit paraprak, kallëzimi penal i familjes Hoxha i është ngarkuar për ndjekje një prokurori të kryeqytetit. Prokuroria tha se ende nuk kanë nisur veprimet hetimore në lidhje me padinë e Ilir Hoxhës, ndonëse nga shqyrtimi i materialit kallëzues, dyshimet dhe akuzat kryesore hidhen mbi Arkivin e Shtetit. Sipas Ilir Hoxhës, “për vite me radhë familjes iu mohua e drejta për t’i parë dokumentet personale të kujtimeve të Enver Hoxhës, si dhe filmimet e disa festave dhe momenteve familjare”. Në padi thuhet se bindja e familjes Hoxha për zhdukjen e dokumenteve në fjalë nga Arkivi i Shtetit është përforcuar pas daljes në botim të librit “Enver Hoxha”, me autor gazetarin Blendi Fevziu.
Padia për ditarët
Kallëzimi penal në Prokurori për dorëshkrimet personale të Enver Hoxhës u paralajmërua nga e veja e diktatorit, shtetasja Nexhmije Hoxha, vetëm pak ditë pasi gazetari Blendi Fevziu botoi librin e tij. Ndërsa pas pretendimeve në media të familjes Hoxha për zhdukjen e materialeve nga Arkivi i Shtetit, drejtoresha e Arkivit, Nevila Nika, ka prezantuar para medias gjithë fondin e dokumenteve në Arkiv për Enver Hoxhën. Ajo ka nxjerrë para medias dokumentet duke theksuar se në Arkiv nuk ka ditar origjinal. “Këtu te ne, sikundër mund ta shihni edhe vetë nga këto dosje që ju kam sjellë, nuk gjendet asgjë. Shkrime origjinale të shkruara nga dora e Enver Hoxhës kemi, por jo që të jenë pjesë e ditarit personal. Janë letra drejtuar funksionarëve të lartë të shtetit. Ka edhe dosje me materiale personale, të fotokopjuara që përmbajnë libreza kursimesh, konspekte, konferenca shtypi, shënime udhëtimi, copa gazetash mbi të cilat ka shënime etj.”, ka thënë Nika. “Te ne edhe një copë letër është me vlerë, nuk mund të humbasë asgjë, kështu që nuk ka se si të kenë humbur dokumente kaq të rëndësishme. Këtu ruhen letrat e miqve e të armiqve, sepse ne nuk jemi institucion i politizuar”, ka thënë zyrtarja e Arkivit.
Provat për kallëzimin
Ilir Hoxha citon në padinë e tij dokumente me të cilat thotë se vërtetohet fakti se Arkivi i Shtetit ka zhdukur e keqpërdorur dokumentet origjinale, dorëshkrime të ditarëve, si dhe filmat, negativët e filmimeve për jetën private të Enver Hoxhës. Në padi thuhet se gjithë fondi i materialeve private është dorëzuar në Arkivin e Komitetit Qendror të PPSH dhe prej andej ka kaluar në Arkivin e Shtetit, ku nuk gjendet sot.
TRAZHGIM SOKOLAJ