Krimet e Rënda kryqëzojnë bandën e Gaxhait
Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda i ka vënë dje kapakun një tjetër dosjeje të bujshme që mbante fatin e dhjetëra bëmave të ndodhura në vitin 1997 në qytetin e Vlorës. Kolegji penal i kësaj gjykate dha vendimin për bandën e Gaxhait dhe bashkëpunëtorëve të tij. Sipas këtij vendimi, tjetër burgim përjetë u dha për Gazmend Brakën, i njohur ndryshe si “Gaxhai”. Vendimi i djeshëm u dha pasi gjykata e shpalli fajtor për krijim të organizatës kriminale, për vrasjen e dy shtetasve, për vjedhje me dhunë me pasojë vdekjen. Ndërkaq, Gjykata dha vendimin edhe për katër anëtarë të tjerë të bandës së kryesuar nga Gaxhai. Kështu, Armando Sulejmani, Sokol Sinemati, Edmond Leskaj dhe Gazmend Nebiu u dënuan secili me nga 25 vite burg. Gjykata shpalli të pafajshëm për 3 vrasje, mes tyre dhe të policit Viron Rrapaj, pasi nuk u provua t’i ketë kryer Gaxhai dhe anëtarët e bandës së tij. Gazmend Braka aktualisht vuan një tjetër dënim me burgim të përjetshëm për disa vrasje, ndërkohë që ka tentuar dy herë të arratisej nga burgu.
24 Nentor 2009