E Diel, 1 Nëntor 2026

“Gërdeci”, Mediu, Alibeaj dhe Bumçi, dëshmitarë për tragjedinë



Laureta Rryçi

Procesi për tragjedinë e Gërdecit do të mbahet mend ndryshe edhe si procesi ku do të thirren si dëshmitarë tre ministra. Trupi gjykues i kryesuar prej gjyqtarit Ridvan Hado e cilësoi të drejtë kërkesën e të pandehurit Ndue Marku për të sjellë në sallën e gjyqit tre ish-zyrtarë të lartë që kanë dijeni për rrethanat e ngjarjes. Ndërkohë që u rrëzuan kërkesat për t’i konsideruar si të pavlefshme aktet e ekspertimit për dëmet e shkaktuara prej tragjedisë. Në seancën e djeshme palët në proces ranë dakord që procesi të përfshihet në një tjetër fazë të rëndësishme në atë të thirrjes së dëshmitarëve. Për seancën e radhës, që u përcaktua me 7 dhjetor, Gjykata po përgatit fletë-thirrjet për 12 dëshmitarët e parë. Në dosjen e bujshme janë përcaktuar të thirren si dëshmitarë rreth 360 persona.
Dëshmitarët
Në procesin e Gërdecit, pas pak javësh pritet të thërriten për të dëshmuar ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, ish-ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj dhe ministri i Drejtësisë i qeverisë së parë “Berisha”, Aldo Bumçi. Gjykata e Shkallës së Parë pranoi kërkesën e një prej të pandehurve në tragjedinë e Gërdecit, i cili kërkoi prezencën dhe dëshminë e 3 ish-ministrave në sallën e Gjykatës. Po me kërkesë të grupit të prokurorëve, Gjykata miratoi thirrjen e 12 dëshmitarëve të parë. Lista kryesohej me Zamira Durdën, nëna e një prej viktimave të tragjedisë së 15 marsit të vitit 2008, ku humbën jetën 26 persona. Zonja Zamira Durda do të dëshmojë për ditën e tragjedisë në seancën e ardhshme. Zamira është edhe një nga banoret e Gërdecit që i ka ndjekur të gjitha seancat gjyqësore. Ajo ishte edhe dje në sallën e gjyqit dhe donte të dëshmonte që në atë çast kur mësoi se ishte e para në listë. Mirëpo për procedurë duhet të përgatitet fletë–thirrja dhe më pas të fillojë procesi i marrjes në pyetje në sallën e gjyqit, ku do të jenë të pranishme të gjitha palët.
Dosja
Zamira Durda është një prej personave që ka dorëzuar në Prokurorinë e Përgjithshme një padi penale për ish-ministrin e mbrojtjes, Fatmir Mediu, sot ministër i Mjedisit në kabinetin “Berisha”. Mediut, dikur i marrë i pandehur në çështje Gërdeci, iu pushua gjykimi për shkak të fitimit të imunitetit si deputet në zgjedhjet e 28 qershorit. Zonja Durda kërkon që Mediu të rimerret i pandehur në çështjen për zbardhjen e tragjedisë së Gërdecit. Mediu ishte ministër i Mbrojtjes në kohën kur në Gërdec, pak kilometra larg nga Tirana shpërtheu kantieri i demontimit të armëve që shkaktoi 26 viktima, mbi 300 të plagosur, si dhe shkatërrim të dhjetëra banesave dhe bizneseve në zonë. Si të pandehur janë marrë 29 persona, shumica ushtarakë. Nga të pandehurit vetëm 4 janë nën masën e arrestit dhe po gjykohen nën akuzën për vrasje masive.

Dëshmitarët e parë
Zamira Durda
Mimoza Kruja
Feruzan Durda
Qemal Mema
Viktor Nikolli
Shefki Sefo
Shaban Brahushi
Petrit Behari
Valil Laçi
Mustafa Laçi
Shkëlqim Prini
Arta Prini

24 Nentor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›