E Diel, 1 Nëntor 2026

Asnjë shans për ndërtimin e shkollës së re te Bregu i Lumit

Shkolla e re te Bregu i Lumit duket se nuk ka asnjë shans që të ndërtohet. Kjo rezulton pas deklaratave të përfaqësuesve të Ministrisë së Ekonomisë. "Dosja e plotë për terrenin dhe objektet e ‘Uzinës Dinamo‘ është dërguar për shitje në Ministrinë e Financave në korrik të vitit 2008, ndërsa kërkesa e Bashkisë së Tiranës ka ardhur 4 muaj më vonë. Në përgjigjen e dërguar përpara disa javëve, ne i kemi shpjeguar Bashkisë Tiranë që ky proces ka hyrë në procedurë shitjeje dhe nuk mund të kthehet mbrapsht. Kjo sepse e drejta e pronës është e drejtë parësore", shprehen përfaqësues të METE-s. Sipas tyre, Bashkia e Tiranës nuk ka bashkëpunuar në asnjë rast me METE-n për kthimin e pronave te pronarët e ligjshëm. "Nga 97 kërkesa të dërguara nga METE, Rama nuk i është përgjigjur asnjërës prej tyre. Dy ndër këto kërkesa janë edhe ato ku METE i kërkon bashkisë të shprehet për ndërtimin e dy shkollave, në zonën e Porcelanit dhe atë të Kodër-Kamzës", vijojnë më tej së bashku me një seri akuzash politike përfaqësuesit e Ministrisë së Ekonomisë.

Por i menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i nënkryetarit të Bashkisë së Tiranës, Eduard Shalsi, që sërish ka sulmuar Kryeministrin Sali Berisha, pas deklaratave të këtij të fundit, në një takim elektoral, me mësuesit demokratë, për 7 marsin.

"Ringremë zërin për padrejtësinë e madhe sociale që po bën Sali Berisha ndaj komunitetit të Breg-Lumit dhe për dyfytyrësinë e pashembullt të këtij simboli të politikës së vjetër, që në televizion akuzon Bashkinë e Tiranës që nuk ndërton shkolla, kurse në zyrën e tij të punës tjetërson pronat dhe pasuritë e përbashkëta në prona private", u shpreh dje Shalsi. Ai ka theksuar se "trualli i Bregut të Lumit është një fakt konkret, rast tipik i abuzimit të Sali Berishës, me trojet që i kemi kërkuar për shkolla". Ndërsa ka premtuar më tej se "të tjera fakte do të japim në ditët në vijim, mbi politikën që bllokon shkollat e reja, për të zgjeruar oborrin e Kryeministrit, në kurriz të pronave publike".


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›