Plagoset pas daljes nga burgu
SHKODER/ RITVAN DIBRA
Qëllohet për gjakmarrje pas 4 vitesh në qeli. I dënuar për vrasje dhe i lënë i lirë pak javë më parë, Ritvan Bajrami, 39 vjeç është bërë shënjestër i një prite. Ai u plagos mbrëmjen e së dielës nga djali i viktimës, 35-vjeçari Bledar Kruja, i cili kishte planifikuar ekzekutimin për gjak të së sapoçliruarit nga burgu. Në këtë përfundim ka arritur policia e Shkodrës, pas hetimeve të para dhe marrjes në pyetje të Krujës, i arrestuar gjysmë ore pas plagosjes së Bajramit. Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 23:00, në afërsi të tregut të Zdrales në qytetin e Shkodrës. Mësohet se Kruja, i armatosur me pistoletë, ka pritur derisa Bajrami ka ndaluar makinën e tij “Iveco”. Ndërsa ndodhej në kabinë, Kruja i është afruar me pistoletë, duke shfrytëzuar dhe errësirën në ato momente. Sipas burimeve të policisë, autori ka qëlluar 3 herë në drejtim të shënjestrës së tij, por vetëm 2 plumba e kanë kapur në trup. Menjëherë Kruja është larguar, duke lënë në makinë të gjakosur Ritvan Bajramin. Alarmi është dhënë menjëherë pas krismave që kanë tronditur qytetin në atë orë të vonë. Policia mbërriti në vendngjarje e pas kërkimeve të para arriti të ndalte autorin, bashkë me armën. I plagosuri është transportuar për në spitalin e Shkodrës, ku ndodhet sipas mjekëve jashtë rreziku për jetën. Për grupin hetimor ngjarja ka pasur si shkak gjakmarrjen. Sipas hetimeve rezulton se Ritvan Bajrami është plagosur me armë zjarri pasi 4 vite më parë ka qëlluar mbi Zija Krujën, të atin e autorit. Vrasja ndodhi në vitin 2005, gjatë një mosmarrëveshjeje mes Bajramit dhe personave të tjerë. Në një moment, Kruja ka ndërhyrë, por është qëlluar me armë zjarri. Pas kësaj ngjarjeje, autori ka dalë para drejtësisë, ku është dënuar me 4 vjet heqje lirie. Dalja e Bajramit nga qelia pak javë më parë ka bërë që djali i viktimës të mos e përtypë këtë fakt, duke organizuar dhe larjen e gjakut të së atit, pavarësisht rrethanave në të cilat ndodhi vrasja. Nga burimet e grupit të hetimit është mësuar se që në momentet e dhënies së vendimit, 35-vjeçari kishte shprehur indinjatën e tij për vitet e dënimit të Bajramit. Dhe pakënaqësinë ka tentuar ta zgjidhë me vetëgjyqësi, duke përfunduar vetë në pranga. Sipas policisë së Shkodrës, arrestimi i Bledar Krujës është bërë me akuzat e “plagosjes së rëndë me dashje”, si dhe “mbajtjes pa leje të armëve dhe municioneve luftarake”.