Ligji 7501, kontroll për abuzimet në trojet turistike
DURRES - Komision kontrolli për abuzimet që janë bërë në Qarkun e Durrësit me shpërndarjen e tokave në bazë të ligjit 7501. “Rreth 450 është numri i ankesave që janë depozituar deri tani në komisionin vendor të verifikimit te titujve të pronësisë në Prefekturë”, deklaroi drejtoresha e këtij komisioni, Lela Iliazi. “Janë dosje që përfaqësojnë një gamë të gjerë problematikash, që nisin nga mbivendosja ose pronësia për të njëjtën tokë e disa personave, mungesa e regjistrimit të tokës, zaptimi i saj nga persona të tretë, shpërndarja e tokës në mënyrë të padrejtë për një pjesë banorësh nga komisionet e ngritura të fshatrave e të tjera shkelje”, deklaroi nëpunësja e lartë e Prefekturës. Por veç 450 dosjeve të regjistruara si ankesa nga vetë banorët e prefekturës, ky komision ka marrë në shqyrtim dhe verifikim të gjitha tapitë e shpërndara në zonën turistike të Qarkut të Durrësit me gjatësi në linjën bregdetare prej 62.1 kilometrash. Kjo zonë shtrihet nga kepi i Rodonit në veri e deri tek komuna Rrashbull (e përfolur së fundmi) që kufizon Qarkun e Durrësit me atë të Tiranës. Një komision i përbërë prej 6 anëtarësh, i cili drejtohet nga prefekti Klodjan Pajuni ka nisur punën prej disa muajsh, për të verifikuar çdo procedurë të shpërndarjes së tokave bujqësore pas vitit 1991 me ligjin 7501. Sipas burimeve nga Prefektura janë vërejtur shumë raste, kur troje të mirëfillta turistike (të pambjella asnjëherë nga ish-kooperativat), janë shpërndarë me mekanizmin 7501, sikur ato sipërfaqe të ishin tokë bujqësore. “Këtë javë dalim edhe me raportin përfundimtar, të verifikimit të bërë nga komisioni për këto troje, ku edhe problematika është e larmishme dhe e një game të gjerë”, tha Iliazi. o.u