Plagoset rëndë një punëtor në aksin Qafë Mali-Fierzë
Pukë-Një punëtor është plagosur rreth orës 17.00 teksa po punonte për asfaltimin e rrugës Qafë Mali-Fierzë. Zef Nik Çuni është dëmtuar rëndë në kokë dhe po bëhet transportimi i tij me helikopter drejt Tiranës.
Forcat e policisë nga vendngjarja bëjnë të ditur se 40 vjeçari Çuni ka qenë duke punuar në një firmë private për asfaltimin e këtij aksi në rikonsrtruksion e sipër. Në punë e sipër, ai është goditur nga një rrul që shërbente për sheshimin e asfaltit.
Zef Nik Çuni nga Puka ka marrë plagë të rënda në kokë si pasojë e spostimit të rrulit. Mësohet se është në gjendje kritike për jetën, ndaj pritet që me mbërritjen e tij në Spitalin Ushtarak t’i bëhet një ndërhyrje kirurgjikale në kokë. Kjo sipas të dhënave të spitalit të Pukës dhe forcave të policisë që kanë shkuar tashmë në vendngjarje në aksin Qafë Mali-Fierzë.