Qesja e helmit, një ide e mirë për të lënë mësimin
Lezhë-Nxënës të shkollës së mesme në Ishull Shëngjin të Lezhës, improvizojnë skenat e ndodhura në shkollën e mesme të Gorresë në Kurbin, ku u krijuan probleme me mbi 30 nxënës nga vendosja e një qeseje me ere të rëndë në koridorin e brendshëm të asaj shkolle. Por kësaj rradhe nxënësit lezhjanë kanë menduar të përfitojnë orët e largimit nga mësimi përmes këtij marifeti. Dhe për ta bërë të besueshëm këtë fakt, kanë qenë disa nxënës të cilët kanë improvizuar situatën identike me atë të Lacit, duke vendosur tri qese me mbishkrime kineze, dy të hapura dhe njërën të mbyllur, që të mund të sillte panik dhe më pas largim masiv nga orët e mësimit.
Kjo ka bërë që mësuesit dhe drejtuesit e kësaj shkolle të lajmërojnë policinë dhe kjo e fundit ka urdhëruar evakuimin e shkollës deri sa të sqarohej situata. Një grup ekspertësh i policisë së Lezhës ka vajtur në vendgjarje, për të kqyrur qeset e vendosura në koridoret e shkollës, ndërsa janë marrë masa për ajrimin e menjëhershëm të mjediseve të brendshme të kësaj shkolle.
Qeset e gjetura me mbishkrime kineze, janë marrë për t’u analizuar, por sipas policisë kjo është një tentativë e ndonjë grupi nxënësish për t’u larguar nga mësimi, ndaj po kërkohet të gjenden dhe personat që i kanë vënë ato në koridor, duke përhapur panik tek nxënësit. Por kësaj rradhe, mësuesit kanë qenë të vëmendshëm, dhe nxënësve nuk u është shkaktuar asnjë dëm, siç ngjau me shkollën e mesme në Gorre të Kurbinit.
Policia i druhet një konvejeri të përhapjes së panikut, ndaj ka urdhëruar policinë të marrë nën ruajtje të gjithë shkollat e qarkut, duke u vënë në kërkim të autorëve të mundshëm që i kryejnë këto veprime që e ndikojnë negativisht zhvillimin e mësimit nëpër shkolla.