Konfindustria: Tatimorët marrin rryshfet
Tiranë- Pagat e referencës janë kthyer në një mjet të mirë fitimi për punonjësit tatimorë. Pas kontrolleve që ato ushtrojnë nëpër ndërmarrjet private të prodhimit në vend gjejnë shkelje dhe në vend të gjobës marrin rryshfet. Kështu kanë deklaruar sot përfaqësuesit e konfindustrisë të cilët janë njëkohësisht fajtor sepse e nxisin këtë korrupsion. Por ato propozojnë një zgjidhje. Të ndryshojnë pagat e referencës. Sipas tyre praktika po tregon se pagat e referencës kanë prodhuar numrin më të madh të përplasjeve ligjore biznes-tatime.
“Pagat e referencës të vendosura nga qeveria në vend që të ulin evazionin fiskal, janë shndërruar në burim korrupsioni”, shprehen ata. Përfaqësuesit e biznesit deklarojnë gjithashtu se janë shtuar ndjeshëm rastet e gjobitjeve nga tatimet, çka ka detyruar subjektet private që të japin para nën dorë për ta zgjidhur konfliktin me nëpunësin.
Konfindustria i ka paraqitur qeverisë një studim për pagat e referencës, duke bërë edhe propozime për ndryshime. Studimi përfshin 211 kompani me shtrirje gjeografike në të gjithë vendin. Për industrinë ushqimore, konfindustria kërkon që të rriten pagat e referencës për drejtorët, administratorët teknikë dhe punëtorët e pakualifikuar. Ndërkohë që kërkojnë ulje të pagave për specialistët me arsim të lartë.
Përfaqësuesit e konfindustrisë i kanë bërë thirrje qeverisë që të marrë parasysh kërkesat e tyre pasi kanë numrin më të madh të të punësuarve në sektorin privat në vend. Konfindustria deklaron se përpirësimi i legjislacionit do ta eliminonte përplasjen tatimorë-biznese.