Konkursi, ndahen çmimet artistike ndër të rinj
Berat- Rreth 30 të rinj kanë prezantuar punimet e tyre në Galerinë e Arteve “Edëard Lear”, ku është zhvilluar edhe konkursi i më të mirëve. Cermonia e hapjes së ekspozites dhe ndarja e çmimeve u zhvillua në prani të një publiku të zgjedhur. Në konkurs morrën pjesë 29 artistë pamorë nga Berati, Tirana, Gostivari, Fieri, Tetova, Vlora etj, deri në moshën 26 vjeç që paraqitën punimet e tyre në pikturë, skulpturë, grafika, etj.
Juria i dha çmimin e parë Ermal Mbrakulla nga Berati me pikturen “Bunkeri” për kompozimin e veçantë dhe gjetjen në mënyrën e paraqitjes së një realiteti, i parë nga brendia e një hapesire të mbyllur duke risjellë në këtë mënyrë situatat tronditëse të izolimit.
Çmimi e dytë e mori Aldo Radostani (Tiranë) për skulpturën “Kompozim” me të cilën ka dhënë një mesazh provokues me një plastike ekspresive dhe njëkohësisht duke përçuar risi me përdorimin e materialeve të riciklueshme në një punë 3-dimensionale.
Çmimi i Tretë u dha Entela Cekani (Tiranë), me videon “Aeroporti” ku janë të krijuara situata paradoksale të arritura nëpërmjet një montazhi të realizuar mirë, situata që janë rjedhojë e një realiteti të përditshëm shqiptar.
Çmim Special Xhezair Abazi (Gostivar), për dy pikturat të titulluara “Nga tradita” ku revokohen me mjete eksprasive elementet vizuale te traditës shqiptare.
Kjo ekspozitë, me vlera të veçanta dhe befasuese artistike, karakterizohet nga një konceptim krejt i veçantë i veprave dhe një performancë e lartë e individualiteteve dhe përvojave të reja krijuese, të cilat, në shumë raste ishin të papritura për publikun. Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri në 4 nëntor.