Bechtel Enka: Punohet 24 orë në dy tubat e tunelit Thirrë - Kalimash
Autostrada Durrës - Kukës do të jetë funksionale brenda afateve të vendosura për ridizenjimin e tunelit Thirrë - Kalimash. Garancia vjen nga kompania Bechtel Enka, e cila vlerëson se ecuria e punimeve që po kryhen në të dy anët e tunelit Thirrë - Kalimash, pjesë e projektit të autostradës Rrëshen - Kalimash, garanton përfundimin në kohë të ndërhyrjes që po kryhet në të dy tubat e tunelit. Zëdhënësja e Bechtel Enka, Ela Ruçi, tha dje se punimet në tunel vazhdojnë sipas afateve të përcaktuara nga DPR dhe kompanitë dizenjuese të tunelit. Sipas Ruçit, momentalisht në tunel punojnë 10 ekipe me një numër total prej 200 punëtorësh. Puna vazhdon paralelisht në të dy tubat e tunelit, ditën dhe natën. Zëdhënësja e Bechtel Enka, tha se pas shembjes së dheut të ndodhur me 5 nëntor 2009, është implementuar stabilizimi i punimeve në të dy tunelet në të gjithë zonën ku ka pasur probleme gjeologjike dhe zona të cilësisë së dobët shkëmbore. “Dizenjimi i rishikuar parashikon që izolimi primar i zonave të pabetonuara të kryhet në një trajtë ovale dhe forcimi të bëhet përmes betonimit dhe forcimit me struktura hekuri. Izolimi përfundimtar sipas dizenjimit të rishikuar parashikon riforcim me 500 mm beton. Për t’i minimizuar lëvizjet dhe për të siguruar stabilitet, unaza e tunelit është mbyllur në një seksion prej 12 m para se të avancohet në seksionet e tjera”, - thotë Ruçi. Ndërsa shton se këto punime kanë kontrolluar me sukses lëvizjet në tunel.
Tuneli Thirrë - Kalimash, pjesë shumë e rëndësishme e rrugës Durrës - Kukës - Morinë, ka dy anë, që do të konsiderohej nga njerëzit e thjeshtë në dy tunele të veçanta, por që ekspertët i kanë ndarë në galerinë e veriut dhe në galerinë e jugut, por që konsiderohet një vepër e vetme, pra Tuneli i Thirrës. Përgjatë gjithë verës ka funksionuar vetëm galeria e veriut, e cila shërbeu më së miri për qindra mijëra turistë nga Kosova që zgjodhën bregun e Shqipërisë të kalojnë pushimet tyre. Pikërisht ana e veriut e galerisë u mbyll më 9 nëntor, për të kryer punimet e fundit elektromekanike. Ndërsa në anën tjetër të tunelit që është galeria e jugut, vazhdon të punohet për mbarimin e tij. Në këtë anë punimet vazhdojnë dhe një pjesë e tij ende nuk është betonuar. Pikërisht në këtë pjesë ku kryhen këto punime, pra në anën e pabetonuar, në fillim të nëntorit ka pasur rrëshqitje të dheut, ndaj Ministria e Punëve Publike, Transporteve dhe Telekomunikacionit vendosi atëherëë mbylljen e tunelit dhe hapjen e tij vetëm kur të përfundojnë punimet e sigurisë dhe të elektromekanikës. Sipas një shtese të kontratës, afati për përfundimin e punimeve në autostradën Durrës - Kukës - Morinë është vendosur vera e vitit 2010. Tuneli i dyfishtë është më shumë se 5 km e gjysmë i gjatë dhe është ndër më të mëdhenjtë në rajonin e Ballkanit. Pjesa më e rëndësishme e kësaj rruge, nga ana infrastrukturore, është segmenti Rrëshen - Kalimash, që cilësohet si një vepër unike në tipologjinë e autostradave malore, i ndërtuar në një gjatësi relativisht të shkurtër, vetëm 61 km, por që zhvillohet në një dinamike impresionuese - mes 34 milionë m3 gërmimesh masive të skarpatave malore deri në 150 m lartësi, mes 29 urave me një gjatësi totale prej 4.5 km, me një lartësi maksimale deri në 90 m, mes 6 km muresh mbajtëse gjigande. Ndërkaq, brenda këtij segmenti është tuneli i Thirrës prej 5.6 km, më i gjati në rajon, me trafik bidireksional në dy galeri dhe me një projekt e infrastrukturë të pajisjeve elektromekanike të standardeve të fundit bashkëkohore sipas direktivës evropiane të tuneleve të vitit 2004.