E Shtunë, 31 Tetor 2026

Platforma e PSD, raporti 1 me 6 në përfaqësim

 

Dy do të jenë fazat nëpër të cilat propozohet që të kalojë procesi i bashkimit të PS-së me PSD-në

Procesi i bashkimit përfundimtar të Partisë Socialiste dhe Partisë Socialdemokrate do të jetë një bashkim real dhe parimor vlerash të përbashkëta. Njehsimi i dy partive në një forcë të vetme të së majtës nuk do të bëhet thjesht nëpërmjet shprehjes së gatishmërisë dhe frymës së bashkëpunimit, por do të kalojë nëpër një sërë etapash dhe veprimesh konkrete. Bashkimi i sanksionuar me këtë platformë pritet të realizohet nëpërmjet dy fazave kryesore: institucionalizimi i bashkimit dhe krijimi i subjektit elektoral.

Faza e parë

Kjo fazë, deri në realizimin e plotë të saj, do të përmbajë në vetvete gjashtë mini-etapa të cilat do të fillojnë me shqyrtimin nga grupet e punës dhe miratimi i Platformës së Bashkimit nga forumet qendrore të të dy partive. Më pas, kjo do t’i hapë rrugë hartimit të një Programi të Përbashkët, bazuar në programet përkatëse të të dy partive dhe në atë të PSE (Partisë Socialiste Europiane). Një moment tjetër do të jetë dhe krijimi i institucioneve drejtuese e koordinuese të bashkimit PS-PSD, kryesisht me karakter konsultativ. Gjithashtu, në këtë projekt-platformë përcaktohet dhe detyrimi për krijimin e Komiteti Koordinativ i cili parashikohet të përbëhet nga Kryetarët, Zëvendëskryetarët dhe Sekretarët e Partive, si edhe organizimi i mbledhjeve të përbashkëta të Kryesive përkatëse. Pjesë e bashkimit do të jetë dhe krijimi i një Grupi Parlamentar të përbashkët, i cili parashikohet të funksionojë bazuar në një Rregullore të përbashkët në përgatitjen e seancave parlamentare, në marrjen e vendimeve dhe organizimin e debatit në Kuvend. Faza e parë e realizimit të këtij projekti do të shtrihet edhe në bazën e dy partive, ku synohet të krijohen institucione drejtuese e koordinuese në nivel lokal, nëpërmjet një Udhëzimi të përbashkët partiak. Kjo fazë propozohet që të shoqërohet edhe me fillimin e ristrukturimit të strukturave organizative për të lehtësuar bashkimin.

Faza e dytë

Pas kalimit të fazës organizative të këtij bashkimi, platforma përcakton si një hap përfundimtar, krijimin edhe nga ana juridike të subjektit elektoral, ku baza e bashkimit të strukturave propozohet nga PSD që të bëhet sipas raporteve të përfaqësimit 6 me 1. Kështu, do të synohet sanksionimi nëpërmjet këtij akti, edhe juridikisht, se PS-PSD do të sillen “de fakto” si një subjekt zgjedhor në raport me të tretët, që do të ketë program dhe kandidat të përbashkët sipas një përfaqësimi të mirëkuptuar figurash në raportet 1 socialdemokrat me 6 socialistë. Ndërkohë që në këtë fazë është programuar që të bëhet dhe hartimi i Programit të Përbashkët Elektoral dhe Qeverisës nëpërmjet krijimit të grupeve të përbashkëta të punës. Programi propozohet të shpaloset në Konventën e Përbashkët Zgjedhore si një strukturë e re, produkt i këtij bashkimi. Aty është parashikuar që të bëhet edhe paraqitja e listës së kandidatëve të Bashkimit PS-PSD, paraqitja në Konventë e Aktit Përfundimtar të Bashkimit PSSH-PSD si një subjekt i vetëm elektoral, ku do të përcaktohen dhe kriteret dhe mënyrat e realizimit të tij. Megjithatë projekt-platforma, përveç termave që përcakton për realizimin e saj, duket se ka një mangësi në mënyrën se si do të drejtohet kjo parti. Nuk është përcaktuar ende nëse kryetari do të zgjidhet nga strukturat e partisë së përbashkët, apo do të jetë një post i cili do të plotësohet nëpërmjet rotacionit midis dy krerëve aktualë të partive.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›