Dëshmia e hoxhës: Time shoqe e vrava se mbajti anën e pronarit
TIRANË- “E vrava pronarin e tokës, pasi nuk më la t’i mblidhja ullinjtë, duke më dalë nga fjala. Gruan time e vrava se mbajti anën e tij”. Në dëshminë e tij, 72-vjeçari Halim Shehu ka zbardhur motivin që e shtyu të kryejë vrasjen e dyfishtë. Oficerët e zyrës së vrasjeve pranë policisë së Tiranës kanë marrë në pyetje ditën e djeshme të moshuarin, autorin e dyshuar të vrasjes së dyfishtë që ndodhi dy netë më parë në banesën e tij në Sauk të Tiranës, ku mbetën të vrarë Bexhet Xhabrahimi, 70-vjeç dhe Fatime Shehu 67-vjeçe. Burime nga policia thanë se Xhabrahimi ishte pronar i tokës ku ndodhej banesa e Halim Shehut në periferi të Saukut në Tiranë. Vitin e kaluar, 70-vjeçari kishte ngarkuar Shehun t’i vilte ullinjtë, duke qenë se banonte pranë dhe për punën do t’i jepte një përqindje. I moshuari ka pranuar dhe pasi i ka grumbulluar ullinjtë ka marrë edhe përqindjen prej Xhabrahimit. Por një gjë e tillë nuk ka ndodhur këtë vit, pasi pronari i tokës kishte ngarkuar një tjetër banor për t’i vjelë ullinjtë. Kur ka parë fqinjin t’i afrohej banesës së tij për të vjellë ullinjtë, Shehu i nervozuar i ka thënë se nuk kishte punë të shkelte në tokën e tij. “Më ka ngarkuar pronari i tokës t’ia grumbulloj ullinjtë” -mësohet t’i ketë thënë fqinji 72-vjeçarit. Ky i fundit menjëherë ka takuar Xhabrahimin tre ditë para ngjarjes dhe ka nisur të debatojë me të. Më pas ai e ka ftuar atë në shtëpinë e tij për t’u sqaruar. Kështu pronari i tokës ka rënë dakord për t’u sqaruar dhe ka shkuar pasditen e së martës në banesën e Shehut. Sapo ka mbërritur në oborrin e shtëpisë ai ka thërritur 72-vjeçarin i cili ka dalë me një pistoletë në dorë. “Erdhe ti”- mësohet t’i ketë thënë Shehu pronarit të tokës dhe i ka zbrazur dy plumba pistoletë, duke e lënë të vdekur në vend në mes të oborrit të shtëpisë. Menjëherë ka dalë bashkëshortja e Shehut dhe ka ulëritur për krimin që kreu. “Pse mban anën e tij se po të vras dhe ty” -i ka thënë bashkëshortes së tij i moshuari dhe në gjaknxehtësi e sipër e ka qëlluar edhe atë duke e lënë të vdekur. Më pas ka mbërritur djali i autorit i cili e ka dorëzuar atë në polici. Burime nga policia thanë se ndaj të moshuarit është marrë masa e arrestit për vrasje, ndërsa u sekuestrua pistoleta me të cilin ai kreu krimin. Halim Shehu ishte i njohur në zonën e tij, pasi kishte qenë hoxhë për disa kohë. Megjithatë, kjo nuk e ka penguar të kryejë një vrasje të dyfishtë e të mbyllet pas hekurave të burgut, në pleqëri.