E Diel, 1 Nëntor 2026

Plagosin me armë një të ri, tre adoleshentë në pranga

DURRËS - I ka marrë fshehurazi armën të atit polic dhe ka qëlluar me të të riun që një ditë më parë e kishte rrahur. Ngjarja ka ndodhur të mërkurën, ndërkohë që në spital ka përfunduar i plagosur 18-vjeçari A.Xh.


Burimet zyrtare të policisë bëjnë të ditur se konflikti ka ndodhur rreth orës 13:00 të datës 19, në vendin e quajtur "Rezervuari", në lagjen 15 të qytetit të Durrësit.


Mësohet se një ditë më parë, adoleshentët 16-vjeçarë M.R., A.Xh. dhe E.H., të tre banorë të lagjes 15, të pajisur me një armë që E.H. ia kishte marrë të atit (punonjës i policisë pyjore) kanë ritakuar 18-vjeçarin dhe e kanë qëlluar me armë. Shkak për këtë ka qenë një sherr i mëparshëm ku autori ishte rrahur nga i plagosuri.


18-vjeçari A.Xh. është dërguar në spital ku ndodhet nën kujdesin mjekësor jashtë rrezikut për jetën. Policia bën të ditur se kanë përfunduar në pranga tre adoleshentët, ndërkohë që është sekuestruar edhe arma e përdorur në këtë krim.


SHKODËR

Përcillet për në banesën e fundit polici, ngujohet familja e policit vrasës

SHKODËR - Përcillet për në banesën e fundit Tom Jakini, efektivi i policisë pranë komisariatit të policisë Shkodër, i vrarë të martën nga kolegu i tij Ramiz Ademi.


Ceremonia mortore dhe gjithë shpenzimet e varrimit janë mbuluar nga Policia e Shtetit, ku përfaqësues të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë kanë bërë ngushëllime në familjen e policit të vrarë, ndërsa ai është përcjellë për në varrezat e Hajmelit i shoqëruar me trupë nderi të ardhur nga Tirana.


Në ceremoninë mortore kanë marrë pjesë jo vetëm të afërm e të njohur të familjes Jakini, por dhe efektivë të policisë, kolegë të tij, si dhe drejtuesit më të lartë të policisë së Shkodrës.


Drejtori i policisë së Shkodrës, Vullnet Topalli, ka theksuar se ngjarja e rëndë që përfshiu dy ditë më parë uniformat blu i ka tronditur të gjithë, ndërsa do të jetë drejtësia ajo që do bëjë punën e saj. Tom Jakini u qëllua të martën në mesditë nga kolegu i tij Ramiz Ademi pas një konflikti të çastit mes tyre, ndërsa ndërronin njëri- tjetrin në shërbim.


Grindja e nisur për motive krejt të kota, ka përfunduar në goditje me grushta dhe vrasjen e Jakinit nga një distancë e afërt nga kolegu i tij. Më pas ky u vetëdorëzua duke pranuar krimin dhe shfaqur pendesë. Pas ngjarjes, familja dhe fisi i autorit të vrasjes janë ngujuar. Vrasja e Jakinit është e pesta që ndodh në qarkun e Shkodrës nga fillimi i këtij viti dhe e dyta brenda katër ditëve.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›