E Diel, 1 Nëntor 2026

Urgjenca e Lezhës mbipopullohet nga mbi 100 fëmijë me probleme

ALARMI/ Përgjatë kësaj jave çdo ditë janë paraqitur mbi 20 fëmijë me diarre, të vjella dhe temperaturë të lartë


LEZHË - Që nga dita e premte dhe deri më dje është rritur ndjeshëm numri i fëmijëve të moshave pediatrike të mbërritur në spitalin e Lezhës. Sipas pneumo-alergo-pediatrit Bardhok Gjoka, gjatë këtyre ditëve në spital janë paraqitur mbi 100 fëmijë kryesisht me diarre, të vjella dhe temperaturë të lartë, ndërkohë që vetëm dje në pediatri kanë mbërritur 25 fëmijë.


Mësohet se numri i fëmijëve të prekur ka qenë aq i madh sa një sallë e spitalit është lënë bosh vetëm për këtë qëllim. Ndërkohë, mosha e të miturve me probleme varion nga 6 muaj deri në 12 vjeç.


Ditët e fundit prindërit e këtyre fëmijëve të sëmurë hodhën hipoteza se shkak është konsumimi i ujit të pijshëm në qytetin e Lezhës. Lidhur me këtë fakt pediatri sqaroi se shkaku kryesor është luhatja e temperaturave që pësuan një zbritje të menjëhershme në 10 gradë. Fëmijët e sëmurë nuk janë vetëm nga qyteti i Lezhës, por edhe nga fshatrat, madje një pjesë e tyre kanë konsumuar ujë të zier apo të ambalazhuar, çka hedh poshtë faktin që uji mund të ketë qenë i ndotur.


"Situata është nën kontroll dhe nuk duhet hapur panik",- pohoi Gjoka. Pediatri këshilloi që fëmijët gjatë këtyre ditëve të mbahen nën kontroll, t'iu jepen sa më shumë lëngje por edhe antibiotikë në rastet e nevojshme.


Ndërkohë, nga ana e Drejtorisë së Spitalit Rajonal Lezhë, janë marrë të gjitha masat për mbajtjen nën kontroll të situatës si në repartin e pediatrisë, në atë të shërbimit ambulator, por edhe në urgjencë. Mjekët janë në gatishmëri të plotë dhe theksohet se nuk ka mungesë medikamentesh.


DSHP: Treguesit mikrobiologjikë të ujit, brenda normave


Për situatën e krijuar në Lezhë me shtimin e fluksit të fëmijëve në spital shprehen edhe drejtues të Drejtorisë Rajonale të Shëndetit Publik Lezhë të cilët qartësojnë shkaqet e shtimit të këtij fluksi, si dhe lidhur me cilësinë e ujit të pijshëm.


Nëndrejtoresha e DRSHP Lezhë, njëkohësisht shefja e epidemiologjisë, Donika Vuka, pohoi se është i vërtetë fakti se është rritur numri i rasteve me enterovirozë, dhe fillimi i kuadrit klinik ka qenë i menjëhershëm për një infeksion nga viruset.


Dyshimet e para për ndotjen e ujit në qytet janë hedhur poshtë edhe nga nëndrejtoresha Vuka, e cila e argumenton me faktin se mes fëmijëve të sëmurë ka shumë raste nga fshatrat, që nuk marrin furnizim me ujë nga i njëjti ujësjellës.


Nga analizat e bëra në laboratorin bakteorologjik gjatë gjithë këtyre ditëve, rezulton se uji nuk është i ndotur mikrobiologjikisht.


Ndërkaq, nisur nga situata, dy ditë më pare, një grup specialistësh nga ISHP-ja kanë marrë kampione të fëmijëve të sëmurë për t'i analizuar në Tiranë. Rezultatet pritet të vijnë brenda 2 ditësh.


Vuka theksoi se "nuk kemi të bëjmë me një epidemi në asnjë prej institucioneve publike që frekuentohen nga fëmijët siç janë çerdhet, kopshtet dhe shkollat".

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›