Plagosja e avokatit të Nehat Kullës, arma e 53-vjeçares s’përputhet me plumbin
Tiranë- Plagosja e avokatit Dino Lelaj vazhdon të mbetet e errët, edhe pse Policia ka arrestuar një 53-vjeçare, që pohon se është autorja e krimit. Dyshimet e policisë janë shtuar pas ekspertizës së pistoletës “Miniblow”, të gjetur në shtëpinë e Fatime Fregjës, ku rezulton se predha e gjetur në vendin ku u plagos avokati nuk është e armës së 53-vjeçares. Ky konkluzion është bërë i ditur gjatë ditës së djeshme në Gjykatën e Tiranës, ku 53-vjeçarja Fatime Fregja ishte paraqitur përpara togave të zeza për caktimin e masës së sigurisë. Gjatë gjithë seancës, Fatime Fregja ka mbajtur të njëjtin qëndrim si përpara efektivëve të policisë, duke deklaruar se avokati Lelaj e ka ngacmuar seksualisht, pasi kjo e fundit kishte shkuar për çështjen e djalit të saj, i arrestuar pak kohë më parë për drogë. Ajo i ka kërkuar avokatit Lelaj të marrë në mbrojtje të birin dhe ky i fundit ka bërë të ditur se kërkonte 20 mijë lekë për këtë shërbim. Sipas saj, ajo nuk dispononte të gjithë sasinë e parave dhe në këto çaste ky i fundit e ka ngacmuar seksualisht. E arrestuara ka shtuar më tej në dëshminë e saj se ka mundur ta largojë avokatin dhe pak kohë më pas ka marrë një armë dhe e ka qëlluar në drejtim të tij. Ndërkohë, organi i akuzës ka paraqitur përpara gjykatës akt-ekspertimin balistik të armës, ku rezulton se gëzhoja dhe predha që janë gjetur në vendngjarje nuk kanë asnjë përputhje me pistoletën “Miniblow”, që i është sekuestruar Fregjës gjatë momentit të arrestimit, çka e bën edhe më komplekse këtë ngjarje. Burime nga grupi hetimor bëjnë të ditur se dalja në skenë e kësaj prove hedh dyshimet se dikush tjetër mund të fshihet pas kësaj ngjarjeje dhe se Fatime Fregja ka marrë përsipër fajësinë për atentatin, me qëllim humbjen e gjurmëve. Gjithashtu, bëhet e ditur se hetimet do të vijojnë deri në zbulimin e armës së vërtetë të krimit, e cila ndoshta do të ndihmojë më pas në zbardhjen e plotë të autorit të kësaj ngjarjeje. Të pyetur në lidhje me fajësinë e Fregjës, të njëjtat burime bëjnë të ditur se ajo është e përfshirë në këtë ngjarje, por nga provat e paraqitura rezulton se arma me të cilën ajo pretendon se ka qëlluar mbi avokatin nuk ka lënë asnjë shenjë në vendngjarje. Nga ana e saj, Gjykata e Tiranës dëgjoi pretendimet e të dy palëve dhe vendosi caktimin e masës së sigurisë “arrest në burg” për 53-vjeçaren Fatime Fregja, mbi të cilën rëndojnë akuzat e “plagosjes me dashje” dhe “armëmbajtjes pa leje”. Avokati Dino Lelaj është plagosur mbrëmjen e datës 26 korrik, në afërsi të shkollës “1 Maj”, kur ky i fundit ishte duke komunikuar në telefon. Sipas deklarimeve të avokatit, ky i fundit nuk ka parë se kush e ka qëlluar, por ka dëgjuar vetëm zhurmën dhe më pas është rrëzuar dhe është dëmtuar në kokë. Menjëherë pas kësaj, Policia e Tiranës nisi punën për zbardhjen e ngjarjes dhe pak ditë më parë vuri në pranga Fatime Fregjën si autore të atentatit ndaj avokatit Dino Lelaj.