E Diel, 1 Nëntor 2026

I akuzuari për drogë: Hashashin e gjeta në një kosh plehrash

Tiranë- “Nuk kam asnjë lidhje me hashashin. Unë mbledh kanaçe dhe e gjeta në koshin e plehrave”. Ky ka qenë pretendimi i Haxhi Kurushit, 54-vjeçarit të akuzuar për shpërndarje të lëndëve narkotike në Tiranë. Përballë Gjykatës së Tiranës, ai ka mohuar të merrej me tregtinë e hashashit, duke rrëfyer edhe rrethanat sesi e kishte gjetur lëndën narkotike. Gjatë seancës së djeshme, ku u vendos qëndrimi i tij në burg, deri në fund të hetimeve 54-vjeçari tha se “Qeset me hashash i gjeta në një kosh plehrash dhe i kam marrë”. I pyetur nga ana e Gjykatës se çfarë kishte bërë më pas me drogën e gjetur, ky i fundit ka deklaruar se e kishte pirë. Nga ana e saj, Prokuroria ka ngritur pretendimet se Kurushi merrej me shitjen e kësaj lëndë narkotike. Nga hetimet e kryera rezulton se në momentin e arrestimit atij i janë bllokuar 5 qese farmacie me hashash, ndërsa gjatë kontrollit që i është ushtruar në banesë janë gjetur dhe 101 qese të tjera, të cilat në total kapin peshën e 3.6 kg lëndë narkotike. Gjykata e Tiranës edhe pas pretendimeve të ngritura nga Haxhi Kurushi, për gjetjen e lëndës narkotike në kazanin e plehrave, vendosi të caktojë për të masën e sigurisë “arrest në burg”. Prokuroria e Tiranës, e cila mbrojti çështjen para gjykatës, rrëzoi pretendimet e Kurushit, se drogën e kishte për përdorim vetjak. Si provë janë paraqitur doza të ndara të hashashit, të cilat ishin gati për shitje nga 54-vjeçari. Prokuroria dyshon se ai kamuflonte shitjen e lëndëve narkotike me mbledhjen e kanoçeve në pika të ndryshme të Tiranës, por i akuzuari ka ngulmuar se me to nxirrte bukën e gojës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›