E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gërdeci mbahet peng, Gjykata:Merrni masa ndaj avokatëve

TIRANE- Avokatët kanë shtyrë sot për të 15- tën herë seancën e procesit gjyqësor në ngarkim të 29 të akuzuarve si përgjegjës për tragjedinë e 15 marsit 2008, që u mori jetën 26 qytetarëve të pafajshëm.

Zvarritja e procesit ka ngjallur dhe shqetësimin e Gjykatës së Tiranës. Përmes një letre ajo i është drejtuar sot zyrtarisht Dhomës Kombëtare të Avokatisë duke i kërkuar të merren masa konkrete ndaj avokatëve përgjegjës të zvarritjes së procesit.

Seanca e sotme u shty pasi mungonin dy avokatët mbrojtës të njërit prej të dyshuarve kryesorë të tragjedisë së rëndë Mihal Delijorgji por dhe avokatët e dy të pandehurve të tjerë Dashnor Caushi dhe Latif Shatros. Njëri prej avokatëve paraqiti në seancë një raport mjekësor ku thuhej se kishte probleme shëndetësore, c’ka bënte të pamundur dhe paraqitjen e tij në seancë.

Edhe prokuroria ka akuzuar avokatët se po zbatojnë një skenar për bllokimin e procesit dhe si një taktikë për të liruar të pandehurit nga masa e paraburgimit.

Gjyqi ndaj 29 të akuzuarve nuk zhvillohet prej tetorit të 2010-ës dhe shkak janë bërë mbrojtësit dhe kërkesat e tyre të vazhdueshme dhe duket se masat e marra nga gjykata nuk po japin më asnjë efekt.

Superprocesi po zhvillohet prej më shumë se një viti në gjykatën e Tiranës. Për shpërthimin e fabrikës së demontimit në Gërdec që u mori jetën 26 personave, janë nën akuzë biznesmenë si dhe ish-zyrtarë të Ministrisë së Mbrojtjes.
(s.g/balkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›