E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjendet i vdekur në mal një i moshuar

Një i moshuar nga qyteti i Korçës është gjendur i vdekur dhe në gjendje të dekompozuar në malin pranë qytetit. Policia që ka filluar hetimet nuk e ka përcaktuar ende shkakun e humbjes së jetës së tij. Një informacion nga banorë të zonës pranë fshatit Dishnicë ka sinjalizuar policinë e Komisariatit të Korçës për një kufomë njeriu në malin pranë këtij fshati. Mbrëmjen e ditës së martë, një grup hetimor ka shkuar në vendin ku është gjetur trupi i pajetë dhe ka konstatuar një kufomë njeriu në gjendje të dekompozuar edhe për shkak të temperaturave të larta. Policia tha se ka qenë i vështirë për këtë shkak identifikimi i kufomës, si edhe nga fakti që nuk janë gjetur dokumente identifikimi në veshjet e tij. Vetëm pas verifikimeve të hollësishme për largimin prej disa ditësh të një të moshuari korçar nga familja e tij, është arritur të identifikohet personi i vdekur. Policia tha se kufoma i përket 86-vjeçarit Rakip Veizi, banues në lagjen 15 të qytetit të Korçës. Sipas hetimeve, në vendin e ngjarjes nuk janë konstatuar lëvizje njerëzish dhe policia ka arritur në konkluzionin se ky i moshuar ka vdekur nga shkaqe natyrale. Policia nuk sqaroi nëse 86-vjeçari i larguar ditët e fundit nga shtëpia mund të ketë vdekur për shkak të motit të nxehtë, si edhe rrethanat e largimit të tij nga shtëpia.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›