OSLO – Laburistët fitojnë zgjedhjet në Norvegji

OSLO, 9 shtator, /ATSH/ – Partia Laburiste e Norvegjisë, nën drejtimin e kryeministrit në detyrë Jonas Gahr Store, ka fituar një mandat të dytë në zgjedhjet e përgjithshme, duke lënë pas partinë populiste të djathtë, e cila dyfishoi votat e saj, sipas BBC.
Laburistët pritet të formojnë një shumicë të ngushtë në Stortingun prej 169 vendesh, me mbështetjen e katër partive më të vogla të qendrës së majtë.
Votimi shënoi pjesëmarrjen më të lartë për vitet e fundit, me 78,9% të norvegjezëve që dolën në zgjedhje. Partia anti-imigracion Progress e Sylvi Listhaug arriti përfitimin më të madh, duke siguruar gati 24% të votave dhe 48 vende në parlament.
Store, 68 vjeç, tha për mbështetësit e tij se edhe pse forcat e djathta po rriten në Evropë, partitë socialdemokrate mund të fitojnë zgjedhje. Laburistët morën 28,2% të votave dhe 53 vende, një rritje krahasuar me zgjedhjet e vitit 2021.
Fushata u fokusua fillimisht tek politika e jashtme, përfshirë konfliktet në Gaza dhe Ukrainë, por në javët e fundit temat kryesore u zhvendosën tek shpenzimet në rritje të jetesës, industria e naftës dhe reforma e taksës mbi pasurinë, e cila ka bërë që qindra norvegjezë të zhvendosen në Zvicër.
Edhe pse Norvegjia ka vetëm 5,6 milionë banorë, vendi ka një rol të rëndësishëm ndërkombëtar. Si anëtare themeluese e NATO-s, Norvegjia ndan një kufi arktik me Rusinë dhe është pjesë e tregut të vetëm të BE-së, pa qenë anëtare e unionit.
Mbështetja për laburistët u rrit kur ish-shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg, iu bashkua qeverisë si ministër i Financave. /Ad.Ab./