Klinton, shefe e diplomacisë

Ish-Zonja e Parë do të pranojë ofertën e Obamës
Hilari Klinton ka ndërmend të pranojë postin e sekretares së Shtetit, që presidenti i ri, Barak Obama, i cili u është drejtuar ish-rivalëve të tij për të ndërtuar një koalicion të gjerë të administratës. Sipas të përditshmes britanike “The Guardian”, këshilltarët e Obamës po kontrollojnë fondacionin e Bill Klintonit, që shpërndan miliona dollarë në Afrikë, për t’u siguruar që posti i bashkëshortes së tij nuk përbën një konflikt interesash. Por demokratët besojnë se ish-Zonja e Parë do të zëvendësojë së shpejti Kondolesa Rais, duke u bërë kështu zëri dominues në marrëdhëniet me jashtë. Qëkur u zgjodh senatore e Nju Jorkut, ajo është specializuar në marrëdhëniet e jashtme dhe për mbrojtjen. Edhe pse ajo përkrahu luftën në Irak, Hilari dhe Obama bien dakord parimisht për tërheqjen e trupave amerikane. Klinton, e cila ende shpreson për garën presidenciale në të ardhmen, duhet tani të peshojë zgjedhjen e saj, nëse do të vazhdojë të qëndrojë në senat, gjë që i ofron asaj një platformë për jetën, ose të bëjë këtë lëvizje më të pasigurt, duke u bërë pjesë kyçe e Departamentit të Shtetit. Si pjesë e krijimit të koalicionit, Obama iu drejtua dy ditë më parë edhe ish-rivalit të tij republikan, Xhon Mekein, për të diskutuar nëse mund të punojnë së bashku për të ndryshuar disa prej politikave më të kundërshtuara të presidencës së Bushit. Burime nga të dyja palët thanë se Obama nuk i ofroi Mekeinit një post në kabinet, por u fokusua tek mënyra sesi senatori i Arizonës mund të ndihmojë për të drejtuar legjislacionin që ata favorizojnë drejt Kongresit. Edhe pse ata “u përleshën” gjatë fushatës elektorale mbi politikat e taksave dhe tërheqjen nga Iraku, Obama dhe Mekein kanë më shumë të përbashkëta sesa mosmarrëveshje. Që të dy janë në favor të mbylljes së qendrës së burgimit në Gjirin e Guantenamos, rritjen e trupave amerikane në Afganistan, reformën e emigracionit dhe masat për t’u përballuar me ndryshimet klimaterike. “Në këtë moment përcaktues të historisë, ne besojmë që amerikanët e të gjitha partive duan dhe kanë nevojë që liderët e tyre të bashkohen dhe të ndryshojnë zakonet e këqija të Uashingtonit, në mënyrë që ne të zgjidhim sfidat e përbashkëta dhe urgjente të kohës sonë. Shpresojmë të punojmë së bashku në ditët dhe muajt në vazhdim, për të zgjidhur krizën financiare, të krijojmë një ekonomi të re energjetike dhe të mbrojmë sigurinë e kombit tonë”, - thuhej në një deklaratë të përbashkët të Obamës dhe Mekeinit, pas përfundimit të takimit. Pavarësisht se demokratët fituan në senat në zgjedhjet e 4 nëntorit, ata nuk arritën të marrin 60 vendet që do t’i lejonin të mposhtnin bllokadën e republikanëve. Si rrjedhojë, Obama do të ketë nevojë për aleatë në radhët e republikanëve, për të marrë miratimin e planeve të tij. Fundjavën që kaloi, presidenti i ri konfirmoi se do t’u ofrojë punë disa republikanëve. Një prej emrave më shumë të përfolur është Chuck Hagel, ish-senator republikan, specialist në marrëdhëniet me jashtë dhe një kritik i luftës në Irak.