E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prokuroria e Krimeve të Rënda "rrethon" Lazaratin

Lazarati, fshati më problematik në Shqipëri për sa i përket kultivimit të hashashit, vihet në shtetrrethim.

Prokuroria e Krimeve të Rënda urdhëron policinë lokale që të mbajë nën vëzhgim të gjithë personat që dyshohet se kultivojnë dhe trafikojnë lëndë narkotike drejt Greqisë.

Pas arrestimit të Klodian Bashës, me 108 kilogram hashash, disa ditë më parë, në qytetin e Gjirokastrës, policia lokale ka bllokuar të gjitha shtigjet e fshatit, madje ka vendosur patrulla policie në çdo rrugë dalëse.

Qëllimi është ndalimi i trafikut të drogës, pasi ka të dhëna se disa familje në fshat kanë korrur të mbjellat dhe lënda e parë është gati për në treg. Pas arrestimit të elementëve të parë kriminalë, policia e Gjirokastrës ngriti akuzën e trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike, vepër penale që është në kompetencën e Prokurorisë së Krimeve të Rënda në Tiranë.

Ajo ka nisur një hetim të gjithanshëm për elementët me precedentë kriminale që dyshohet se kalojnë drogën nga qyteti i gurtë në drejtim të Greqisë. Burime nga Prokuroria e Krimeve të Rënda thanë se kanë urdhëruar përgjime dhe vëzhgime të elementëve kriminalë, pasi dyshohet se një grup i strukturuar kriminal vepron në fshatin rebel.

Një pjesë e elementëve kriminalë janë evidentuar dhe në ditët në vijim do të përgatiten fletë-arrestet.

 



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›