Plan për sulm me bombënë ndeshjen Borusia-Hanover
GJERMANI- Policia gjermane ka arrestuar një person, që kishte planifikuar një sulm terrorist me bombë në ndeshjen mes Borusias së Dortmundit dhe Hanoverit ditën e shtunë, në “Signal Iduna Park”. E përditshmja Bild ka njoftuar se autoritetet gjermane kanë gjetur dy gropa në këtë zonë, njëra në afërsi të Krefeld dhe tjetra në Dortmund, afër stadiumit, ku ishin fshehur edhe armët dhe eksplozivët. Sulmi mendohej se ishte planifikuar nga një person i vetëm, një qytetar gjerman 25 vjeçar, i cili është arrestuar në një hotel të Këlnit nga Policia Federale Gjermane. Lajmi u zbuluar nga vetë autoritetet e rendit ditën e enjte, ndërkohë që arrestimi është kryer që të martën. Policia ka bërë të ditur se kishte dijeni për planin e sulmit që në muajin shkurt. Sipas policisë, autori kishte planifikuar të godiste tifozët kur ata të vinin në stadium për ndeshjen e së shtunës. Ngjarja ka bërë një bujë të madhe në Gjermani, ndërsa mbetet ende e paqartë nëse eksplozivi i gjendur ishte i gatshëm për të shpërthyer apo jo. Gjithsesi, autoritetet bënë të ditur se nuk do të ketë asnjë problem për publikun. Klubi i Dortmunit kishte shitur 80.720 bileta për ndeshjen me Hanoverin, ndërsa që për gjithë vitin, ky stadium ka një mesatare prej 78.798 tifozë për ndeshje, më e larta në Evropë. Thënë ndryshe, për takimin me Hanoverin, policia ka paralajmëruar një katastrofë të vërtetë. Në këtë ndeshje do të ishte i pranishëm edhe kapiteni i kombëtares shqiptare Altin Lala, që luan prej vitesh me skuadrën e Hanoverit.
(m.a/A. Latifi/BalkanWeb)
(m.a/A. Latifi/BalkanWeb)