“Plan rezervë për të dalë nga koalicioni me PS, Rama s’ka marrëveshje”
Flet kreu i partisë Demokracia Sociale, Paskal Milo
Pas deklaratës së Edi Ramës për një tur 10 mujor në bazë, reagojnë të pakënaqur aleati, Paskal Milo. Kryetar i Partisë Demokracia Sociale, Milo ka deklaruar se ka një plan rezervë nëse Edi Rama nuk do të arrijë një marrëveshje zyrtare me të gjitha partitë opozitare, çka nënkupton largimin nga koalicioni me Partinë Socialiste. “Sigurisht në duam të kemi një koalicion opozitar të fuqishëm me partinë Socialiste, por ne duhet të merremi vesh në takime zyrtare. Por nëse një koalicion nuk do të realizohet me një marrëveshje, Partia Demokracia Sociale bashkë me partitë e tjera do të përpiqet që të mbrojë interesat e tyre në një formë tjetër bashkëpunimi”, deklaroi Milo. Ndërsa dy partitë e mëdha po debatojnë rreth ndryshime kushtetuese dhe heqjes së imunitetit parlamentar, shefi i partisë Demokracia Sociale propozon që në këto debate për paketën e drejtësisë të jetë edhe çështja e ndryshime në Kodin Zgjedhor. “ Ne pikërisht këtu do të vazhdojmë të kërkojmë e insistojmë, që në rast se bëhet fjalë për ndryshime në Kushtetutë të përfshihen edhe ndryshimi i sistemi zgjedhor”, theksoi Milo. Nga ana tjetër, Milo ka zbuluar se disa ditë më parë Partia Demokracia Sociale ka nisur takimet për të hartuar strategjinë për marrjen e sa më shumë votave në zgjedhjet e 2013-tës. “Kemi ditë që kemi filluar takimet. Do të mbledhim në bazë kalendari të gjitha strukturat në rrethe” deklaroi ai. Ky reagim i Milos vjen pas deklarimit të kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama se do të nisë një tur në bazën socialiste për të dëgjuar militantët dhe denoncuar qeverinë pa marrë parasysh ngritjen e një frontit të madh opozitar. Krahas “dialogut me veten”, kryesocialisti është në prag të zyrtarizimit të sloganit elektoral, i cili më së shumti është një indice se PS është një dhe e vetme, pa partitë aleate. “Bashkimi i ri për ndryshim”, është një përpjekje për të distancuar Partinë Socialiste nga aleatët e saj 10 muaj para zgjedhjeve parlamentare. Kreu i PS, Edi Rama në vazhdimësi ka mbajtur një qëndrim refraktar dhe abuzues ndaj partive të vogla, ndërsa synimi i tij i vetëm ka qenë luftimi dhe zhdukja e tyre nga skena politike, por siç duket ky do jetë dhe rasti i fundit që flitet për binomin PS-Aleatë, për faktin e vetëm se, mos njëra, tjetra do i takojë të shkuarës pas zgjedhjeve të 2013-ës.