Plan shkatërrimtar dhe fyes
Si Anëtar Nderi i Akademisë Shqiptare të Shkencave dhe si President Nderi i Akademive të Gjithë Europës (ALLEA), anëtare e shquar e të cilës është edhe Akademia e Shkencave e Shqipërisë, marr guximin të jap mendimin tim kritik, përsa i përket projekt-ligjit të kohëve të fundit mbi Akademinë e Shkencave që i është paraqitur Kuvendit të Shqipërisë nga Qeveria shqiptare, siç përshkruhet në Deklaratën e fundit të Asamblesë së Akademisë së Shkencave të Shqipërisë (datë 03.12.2007). Nuk kam asnjë kundërshtim për një shpërndarje më të gjerë të këtij memorandumi, nëse kjo do të gjykohej si e volitshme.
Duhet të pranoj se jam paksa i pakënaqur me përmbajtjen e ligjit të propozuar.
Kryesisht, kjo nuk vjen për shkak të marrjes së vendimeve vetëm nga lart dhe nga mungesa e këshillimit në procesin që pasoi, megjithëse kjo tregon për një mungesë të pamerituar respekti ndaj Akademisë së Shkencave dhe për një përkeqësim të mënyrës së trajtimit të një institucioni të tillë të mirënjohur dhe të nderuar. Gjithashtu, mohimi i këshillimit paraprak me Komisionin (kundërvënës) Parlamentar të Edukimit mund të mos jetë në kundërshtim me ligjin, por nuk tregon mençurinë dhe urtësinë që nevojitet në një rast të tillë. Vetëm nëse Akademia do të ishte parimisht kundër ndryshimit dhe keqdashëse ndaj çdo lloj përshtatjeje të reformës së kërkuar, mund të përligjej një përqasje kaq diktatoriale. Por gjatë vizitës time vitin e kaluar në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë nuk munda të vërej një ngurtësi të tillë.
Në thelb, pakënaqësia ime nuk vjen as për shkak të vendimit për të kaluar institutet e Akademisë nën një ombrellë të ndryshme nga Akademia, megjithëse mund të shfaqen dyshime rreth cilësisë së një mase të tillë, nëse nuk jepen garanci që një ombrellë e re institucionale do të mbajë përgjegjësinë mbikëqyrëse dhe vlerësuese po aq mirë, ose më mirë sesa Akademia. Në këtë pikë, shkatërrimi i kapitalit akademik, kulturor dhe intelektual nuk është një shëmbëlltyrë e rrezikut.
Arsyeja më shtrënguese për pakënaqësinë time qëndron në sulmin ndaj vlerës më thelbësore të një Akademie Shkencash: pavarësisë së saj. Që nga fillimet e para të themelimit të tyre, si në kohët e lashta dhe ashtu edhe në ripërtëritjen e tyre në kohën e Rilindjes, akademitë kanë gëzuar vetëqeverisjen e tyre dhe pavarësinë nga sundimtarët politikë apo fetarë. Gjithnjë është bërë e njohur se kjo pavarësi, ishte dhe është një çështje me domethënie të thellë si përsa i përket analizave dhe vlerësimeve shkencore, ashtu edhe veprimtarive këshilluese të një Akademie. Perandori Justinian nuk e kuptoi se po pakësonte një burim jetik të jetës intelektuale dhe politike, kur mbylli Akademinë e Platonit një mijë vjet pas themelimit të saj, sepse pikëpamjet e saj nuk përputheshin me të tijat dhe prandaj e quante si të dëmshme për sundimin e tij. Qeveria shqiptare është e prirur drejt të njëjtit gabim.
Pavarësia e shpreh vetveten, midis të tjerash, në zotërimin nga Akademia të autoritetit për të emëruar anëtarë të rinj, për të emëruar anëtarët e Kryesisë së saj dhe Kryetarin e saj. Asgjëkund në botë Akademitë e respektuara nuk privohen nga ky autoritet. Anëtarët e tyre janë në postet më të mira dhe kanë të gjitha kompetencat për të ushtruar përgjegjësitë për të cilën zgjidhen (përzgjidhen). Në disa vende, anëtarët apo Kryetarët emërohen zyrtarisht nga Mbreti apo Mbretëresha apo nga Ministri i Arsimit dhe Kërkimit Shkencor, por kjo është gjithnjë një miratim me vulë i emërimit që ka bërë vetë Akademia.
Me druajtje mësova se, sipas një ligji të ri, një Komision qeveritar për Reformën, i emëruar nga Zëvendëskryeministri, do të riorganizojë Akademinë, që një Kryetar (i përkohshëm) do të emërohet nga Kryeministri dhe se anëtarë të rinj të Akademisë do të caktohen nga një Komitet qeveritar Përzgjedhës, dhe se anëtarësia në Akademi nuk zgjat përjetë, por përfundon në njëfarë moshe. Në të gjitha këto çështje, pavarësia e një Akademie është nën një kërcënim të rëndë dhe janë të minuara funksionet kryesore të një Akademie, kaq të rëndësishme për ndihmesën e saj të vlefshme dhe të papërsëritshme në shoqëri.
Shpresoj se Qeveria Shqiptare do të pendohet dhe do të tërheqë mbrapsht qëllimin e saj, për të kryer atë çka unë e quaj një plan shkatërrimtar dhe fyes.
*President Nderi i ALLEA-s / Anëtar Nderi i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Komentet i janë dërguar edhe Kryesisë së Akademisë së Shkencave të Shqipërisë