Politikë "e madhe", kuletë e vogël
Problematika e rritjes së çmimeve dhe diskutimet e përditshme në lidhje me paqëndrueshmërinë e të ashtuquajturit minimum jetik, veçmas në prag të festave të fundvitit, kthehen në një lloj makthi. Situata në të cilën treguesit jetikë na zënë për fyti, është komplekse. Ishte e qartë se hyrja në fuqi e Marrëveshjes Interim, në kuadrin e MSA-së, dhe më pas, edhe e marrëveshjes CEFTA, do të diktonte jo pak pasoja. Në këtë temë, me të drejtë kritikohen pareshtur nga njëra anë administrata dhe, nga ana tjetër, biznesi, sipërmarrja private. Aspak për të justifikuar ato, por edhe zhvillimet delikate në rajon dhe më gjerë, vështirësitë deri diku kanë qenë të parashikuara. Kështu, në komunitetin e biznesit kemi dy grupe interesash, përsa i takon dinamikës së reduktimeve doganore e tarifore: nga njëra anë qëndron biznesi tregtar, që e përshëndet sistemin e doganave zero; nga ana tjetër, janë prodhuesit dhe investitorët, që me të drejtë kërkojnë politika më mbrojtëse dhe më inkurajuese (nga administrata). Thuhet se në pesë vitet e fundit, ekonomia shqiptare ka shënuar një rritje prej 5-6 për qind të GDP-së. Diskutimi bëhet edhe më i nxehtë po të kemi parasysh kuadrin ligjor dhe masat lehtësuese (sipas administratës) apo penguese (sipas opozitës dhe një pjese të vëzhguesve) për veprimtarinë e biznesit. Të tilla janë: aplikimi i taksës së sheshtë prej 10 për qind; reduktimi i tatimit mbi fitimin; ndryshimi i Ligjit për Sigurimet Shoqërore, duke ulur kontributin për këtë shërbim me 9 njësi, (30 për qind); thjeshtimi i procedurave për regjistrimin e biznesit dhe marrjen e licencave, praktika "One stop shop", etj. Ndër nismat e fundit të administratës, ishte edhe skema për Fondin e Garantimit të Kredive për Eksportet (FGKE). Projekti lindi si kërkesë e disa tryezave administratë - biznes, ku është kërkuar mbështetja e prodhimit vendas dhe e eksporteve. (Fondi i garantimit të kredive të eksportit do të përdoret për të mbuluar kërkesat për kolateral për kredi tregtare për mjete xhiroje për ndërmarrjet.) Në këtë rrugë reformash të mirëkuptuara ose jo, vjen edhe një ndihmesat e vlerësuara të administratës, përndryshe Ligji për "Akreditimin e organizmave të vlerësimit të konformitetit në Republikën e Shqipërisë". Nuk mund ta mohojmë që ka shumë punë; nuk mund të mos pohojmë që ka edhe shumë demagogji.
Për fat të keq, jo rrallëherë, i gjithë kuadri i nismave dhe aktiviteteve promovuese, gjunjëzohen përpara rritjes së çmimit të bukës. Patjetër që thelbi i inversit, ka të bëjë me raportet e brishta midis prodhimit vendas dhe atij të importit. Vështirësitë e përfshirjes në rrjedhat e tregtisë dhe të dinamikës ekonomike rajonale dhe evropiane, nuk janë fjalë goje, por një realitet kompleks. Nga ana e tij, komuniteti i biznesit është përpjekur të komunikojë sa më thjesht me organet shtetërore lidhur me efektet pozitive dhe negative qe kanë krijuar Marrëveshja Interim dhe ajo CEFTA në bilancin e shkëmbimeve tregtare. Është nxitur administrata, që në disa raste të rishikojë segmente të marrëveshjeve të caktuara të cilat kanë rezultuar të pabalancuara dhe me efekte negative, sidomos për prodhimin dhe eksportin vendas. Por ka ende shumë vështirësi në vendosjen e rregullave të lojës, që do të thotë përshtatje me normat, standardet, kuotat, nomenklaturat, etj. Ndërsa gama e produkteve shqiptare, të pranuara dhe të kërkuara prej konsumatorit europian, është e gjerë, përpjekjet për të gjetur rrugën e duhur dhe për të shkuar te partneri, janë ende të pakta. Prodhuesit dhe biznesmenët ende kanë paqartësi lidhur me kërkesat dhe drejtimet e përmirësimit teknologjik të produkteve. Në fakt, si vend mesdhetar, Shqipëria ka shume avantazhe krahasuese, ka shume burime dhe potenciale prodhuese dhe zhvillimi. Por nëse ato nuk janë të orientuara siç duhet drejt tregut, do të vazhdojnë të vlerësohen vetëm si potenciale. Në këtë sens, shkundja e gjithë logjistikës së tregtisë e bizneseve, do të krijonte një tjetër format për prodhimet shqiptare, sikundër do të bënte të mundur edhe mënjanimin e konkurrencës së pandershme midis operatorëve ekonomikë. Përcaktimi i origjinës së mallrave, bie fjala, është një nga detyrimet emergjente të sipërmarrjes private shqiptare; pa përparimin e këtij procesi, bëhet i vështirë zhvillimi i tregtisë dhe harmonizimi i normativave doganore të vendit me ato evropiane. Aktualisht, janë (vetëm) rreth 20 kompani shqiptare të pajisura tashmë me Certifikatën e cilësisë ISO. Ky numër i pakët tregon se ende duhet bërë shumë për t'u nxitur dhe ndihmuar ky proces. Administrata dhe biznesi vetë duhet të praktikojnë një ndjeshmëri më të lartë ndaj objektivave dhe kërkesave të BE-së për biznesin dhe prodhimet tona; nga ana tjetër, duhen inkurajuar me investime konkrete përmirësimi i teknologjisë dhe i teknikave të shitjes dhe të standardizimit të produkteve.
Politika "e madhe" shpeshherë lavdërohet me treguesit (formalisht në rritje). "Epidemia" e rritjes së çmimeve, i ka lehtësuar disa nga objektivat e administratës, por barra iu ka takuar qytetarëve të thjeshtë. Deri diku edhe bizneseve prodhuese vendase. Ka një përpjekje për të ndjekur ata që abuzojnë me çmimet; por edhe këtu shteti synon të mbushë kuletën e vet, nuk duket se kontrollet e tij kanë efekt pozitiv sa i takon kuletës së vogël të qytetarëve. Gjithsesi, kjo kornizë do të dukej ende e mangët pa një qëndrim transparent, të përgjegjshëm dhe larg selektimeve për prodhuesit. Patjetër që ka një rrugë të gjatë për të arritur deri tek respektimi (nga të gjithë) i ligjit apo praktika e marrëdhënieve normale komunikuese, jashtë frymës korruptive. Lufta kundër korrupsionit, që ka qenë kryefjala e kësaj qeverie, përmes luhatjeve apo fragmentarizmit, nuk ka krijuar ende një klimë sa më favorizuese në marrëdhëniet biznes - tatime apo biznes - dogana, duke minimizuar veprimet korruptive. Ka ende trajtime të diferencuara, qoftë edhe në detyrimet e sipërmarrjes private në pagesat ndaj shtetit. Ka subjekte që goditen pa të drejtë përmes kontrolleve preferenciale. Ndërkaq, reduktimi i tarifave doganore për prodhimet e importit, i ka vënë në vështirësi një sërë biznesesh, që nga prodhuesit e mobilieve e të bojës, deri tek ata të hekurit; për të mos folur pastaj për tregun e ushqimeve dhe atë të produkteve bujqësore. (Vetëm 6.6 për qind të eksporteve mbulojnë produktet tona bujqësore.) Më tej, në përcaktimin e çmimeve të referencës së disa produkteve të importit, ka "lapsuse" të cilat vazhdojnë prej vitesh; mirëpo një sjellje kësoj inkurajon importuesin, ndërsa prodhuesit vendas, që punëson me qindra punëtorë, e vë në vështirësi. Duke i shtuar kësaj problematike edhe mungesat dhe kostot në rritje të karburanteve dhe energjisë elektrike, situata bëhet edhe më e vështirë. Kështu, politika "e madhe" dorëzohet përpara kuletës së vogël të konsumatorit. Është detyra e administratës të përpiqet realisht për t'i zbutur këto vështirësi, të zhvillojë politika sa më balancuese, të inkurajojë edhe më tej prodhimin vendas, më së fundi të vigjilojë edhe për zbatimin e ligjeve; së paku kështu do të kapërdihej disi më lehtë... kafshata e rritjes së çmimeve.