E Shtunë, 31 Tetor 2026

Alibitë e rrezikshme të ushtarëve të këngës

 
Me emrin e Kosovës po provokojnë ata që viktimizojnë vendin e dytë në festivalin zyrtar të këngës në RTSH. Asnjëherë një ngjarje spektakli nga Shqipëria nuk e ka përdorur kaq keq origjinën e të qenurit shqiptar i Kosovës. Alibinë e kësaj tymnaje etno-muzikore e ngre një drejtues i festivalit që nuk fitoi festivalin
 
 
Festivali Evropian po kthehet në mollë sherri. Tashmë që festivali i Këngës në RTSH uli siparin dhe nxori edhe fituesen, 16-vjeçaren Olta Boka, të pakënaqurit japin intervista, dalin në ekrane dhe akuzojnë anëtarë të jurisë. Sigurisht jo ata që i vlerësuan, por ata që nuk menduan si shumica. Dhe është pikërisht drejtori artistik i festivalit, kompozitori Edmond Zhulali, i pakënaquri me vendin e dytë, i cili në fakt nuk duhet të merrte aspak pjesë në festival. Është njeriu që përzgjodhi këngët pjesëmarrëse në festival dhe që miratoi anëtarët e jurisë, që akuzon dhe hedh baltë mbi produktin që nxori vetë. Ashtu siç po bëjnë edhe drejtues më të lartë të RTSH-së, të cilët arrijnë deri aty sa të quajnë "gangsterë" e "mafiozë", anëtarët e jurisë që guxuan të mos u binden urdhrave nga "lart". Nëse flitet për veprime "mafioze", për "klane", le t'i analizojmë gjërat pak më shtruar. Kthehemi pas në kohë. Pikërisht në datën 7 nëntor 2007 nga ana e zyrës së shtypit të festivalit, mediave iu vu në dispozicion lista me 30 këngët pjesëmarrëse në edicionin e 46-të. Janë këngë, të cilat janë firmosuar nga një komision i përbërë nga anëtarët Thoma Gaqi, Selim Ishmaku, Hajg Zaharian, Isak Shehu, Edmond Zhulali, Xhavit Ujkani, Françesk Radi, Ermir Dizdari dhe Kozeta Mamaqi. Në listën e këngëve, ajo që të bie në sy është mungesa e këngës së kompozuar nga Edmond Zhulali. Mësohet që kënga të jetë shtuar më vonë, por askush nuk e deklaroi një gjë të tillë. Ndoshta sepse ka konflikt interesi? Sipas njërit prej anëtarëve të komisionit, muzikantit Isak Shehu, "kompozitorëve VIP u lejohet që të paraqiten edhe me vonesë", por ai siguron se edhe kënga e Zhulalit është dëgjuar, ashtu si edhe ajo fituese, që sipas Shehut është paraqitur me vonesë gjithashtu. Veçse lista tregon ndryshe. Ndërsa një tjetër anëtar komisioni, kantautori Françesk Radi, nuk pranon të prononcohet fare për këtë çështje. "Vetëm për festivalin jo!", - na tha Radi, si duket i lodhur nga debatet e kota për çmimet. Dhe pikërisht drejtori artistik, i cili e ka futur vetë këngën në festival, kundër çdo lloj etike, ankohet pse nuk i dhanë çmimin e parë. Ankohet pse nuk e lanë t'i qëndronte jurisë mbi kokë kur vendoste çmimet dhe shprehet hapur në një ekran televiziv se ai nuk donte të merrte pjesë në festival pasi "thashë t'ua lë radhën të tjerëve për të shkuar në Festivalin Evropian",- thua se çmimi i parë është një pronë që i takon detyrimisht. Por ajo që tejkalon çdo masë gjykimi në këtë mes është politizimi i çështjes. Po ngatërrohet festivali me pavarësinë e Kosovës. Fakti që vajzat që këndonin ishin nga Kosova dhe nuk fituan çmimin e parë quhet "tradhti kombëtare". Po manipulohet me faktin se Festivali Evropian zhvillohet në Beograd. Meqë është Serbia në këtë mes (për inat të tyre) duhet të vinim me dy këngëtare kosovare dhe mesazhe të mëdha dashurie. (Fundja ç'kishte kaq shumë patriotike teksti i këngës me 5 radhë të rimuara: Kjo dashuri që sundon ne 'ktë bot'/Dua të zgjohet tek çdo njeri/Duam që zemrat të kenë lumturi /Ashtu si unë - ashtu dhe ti/ Se jeta ikën - e jo nuk kthen!/Dita pret diellin që sapo vjen/Ma jep ti dorën te lutem pak /Un' ta jap zemren në çast/Zemrat kërkojnë - veç dashuri /Jo - lot' në sy /Nënat kërkojnë - nga çdo njeri/Nga çdo njeri/Jeta kërkon dashuri)
Duan të mbulojnë "parregullsitë" me nacionalizëm, duke krijuar me zor pakënaqësi, pse jo edhe mes kosovarëve. Në këtë mënyrë nuk bëjnë gjë tjetër veçse përsërisin gafat e Frederik Ndocit, i cili pasi u kthye humbës nga Festivali Evropian, jo vetëm që ngatërroi festivalin me "Planin Ahtisari", me Amerikën dhe vizitën e Presidentit Bush në Shqipëri, por u shpreh se në Beograd duhet të paraqitemi jo vetëm ne, por edhe konkurrentë të tjerë me këngë anti-serbe. Dhe asokohe askush nga drejtuesit e RTSH-së nuk reagoi ndaj këtyre deklaratave të ulëta e për pasojë të rrezikshme që i thoshte një përfaqësues i Shqipërisë në Helsinki dhe ky përfaqësues ishte nën ombrellën e RTSH-së.
Me emrin e Kosovës po provokojnë ata që po e viktimizojnë vendin e dytë në festivalin zyrtar të këngës në RTSH. Asnjëherë një ngjarje spektakli nga Shqipëria nuk e ka përdorur kaq keq origjinën e të qenurit shqiptar i Kosovës. Alibinë e kësaj tymnaje me deklarata gjoja nën emrin e muzikës por që mbajnë erën e rëndë e ka tjetër gjë nën të, e ngre ky drejtues i festivalit, Edmond Zhulali, që nuk fitoi festivalin.
Sikur t'i ishte prishur plani i thurur më parë, por ja që del një 16-vjeçare që i pëlqen publikut dhe ca "kokëkrisurve" të jurisë. Tani që cënohen interesat buçasin trumpetat. (Në festivalin e 2006-ës askush nuk fajësoi Flamur Shehun, apo atë zotërinë gjerman të jurisë, pse ia dhanë Greta Koçit 12 pikëshin dhe jo Frederik Ndocit). Por nuk mbaron me kaq. Festivali po kthehet me zor në çështje të mprehtë. Pikërisht për rezultatet që pati mblidhet të premten Këshilli Drejtues i Radio Televizionit. Do diskutohet votimi, "pazaret"… Do të vihen me shpatulla pas murit dy anëtarë jurie (Gjergj Xhuvani dhe Alban Skënderaj), që nuk i dhanë asnjë pikë këngës së Zhulalit. Përse ngjaka kaq e çuditshme një gjë e tillë? Çdo anëtar jurie ka të drejtën të japë mendimin e tij pa u gjykuar. Duket e çuditshme kur pikërisht një anëtar jurie shprehet se "nuk mundesh që kur je në juri të kesh gusto personale". Po nëse jo personale, atëherë gustot e kujt duhet të kesh? Mjafton kaq për të kuptuar përse festivali shtetëror e ka humbur dinjitetin. Mentaliteti i kolektivizmave e kooperativave vazhdon i fortë. Kush guxon dhe cënon këtë traditë është "mafioz".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›