Pagëzimi i ikonave anonime
Ekspozohen 11 ikonat e para të restauruara në laboratorin e ri të Institutit të Monumenteve
Deri në momentin e restaurimit, nuk ishin veçse ca shenjtorë me fytyra të zbehta anonimë. Nuk dihej shumë për ta, për emrin, datimin, kush i kish krijuar. Koha i kishte dëmtuar rëndë dhe shpëtimi ishte një mrekulli. Dje, në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar u ekspozuan 11 ikonat e para të restauruara në laboratorin e Institutit të Monumenteve të Kulturës. Shenjtorët duken të veshur si për festë dhe nuk kanë asgjë të përbashkët me tunikat e pluhurosura të disa muajve më parë. Në ceremoninë e prezantimit merrte pjesë ministri i MTKRS-së Ylli Pango, drejtori i Institutit të Monumenteve, Lorenc Bejko dhe ata më kryesorët, realizuesit e projektit, i cili kishte për synim ngritjen e një laboratori, specializimin e 6 punonjësve të drejtorisë rajonale të Beratit dhe vënia në efiçencë e laboratorit, duke restauruar punët e para. Për koordinatoren e projektit, restauratoren Edlira Çaushi, Laboratori është një mrekulli dhe pajisjet e sjella nga partnerët italianë japin mundësi për shtrirjen më tej të projektit të restaurimit. Tanimë kemi aparaturat edhe për restaurimin e drurit, gjë që ka munguar më parë. Të parat që iu nënshtruan këtij procesi ishin 11 ikona të Beratit, të përzgjedhura në bashkëpunim me drejtorin e Drejtorisë Rajonale, Ajet Nallbani. Ishin këto ikonat që kishin nevojë më urgjente për ndërhyrje. Sipas Çaushit, gjendja e ikonave paraqitej në një shkallë të lartë dëmtimi. Vihej re mbulimi i sipërfaqes nga myku, ndërkohë që sulmi i insekteve drungrënëse kishte shkaktuar jo pak dëmtime. Të tjera ishin të mbuluara nga shtresa boje jo origjinale. Kështu që iu nënshtruan fillimisht pastrimit e më tej stukimit të vrimave të shkaktuara nga brejtja e insekteve. "Kur i morëm këto ikona ato ishin anonime, kurse tani kanë marrë emrat e shejtorëve që paraqiten në to", - thotë Çaushi. Datojnë të shek XV-XIX. Mes tyre mund të përmendim "Fjetjen e shenjtores", "Shën Mërkuri", "Hyrja e Shën Mërisë në Tempull", "Shën Gjergji", etj. Projekti u mbështet financiarisht nga Rajoni i Pulias në kuadër të programit "Interreg III", me partner Shoqatën e Artit dhe Restaurimit në Firence. Në përfundim të ikonave të Beratit specialistët e IMK-së po punojnë për restaurimin e ikonave të Muzeut Historik Kombëtar.