Planet e Presidentit Obama ndaj ngritjes së çmimit të karburantit

Ndërkohë që amerikanët janë të shqetësuar për ngritjen e çmimeve të benzinës, Presidenti Barak Obama po mbron politikën e tij të energjisë. Presidenti doli dje për t`iu përgjigjur kritikave të republikanëve në këtë vit zgjedhjesh se ai nuk po bën sa duhet për të zgjidhur këtë problem.
Ngritja e çmimeve të benzinës i ka nervozuar amerikanët dhe zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë janë të shqetësuar për ndikimin e mundshëm që do të kenë çmimet e benzinës në fushatën për rizgjedhje të Presitetit Obama.
Presidenti vizitoi Universitetin e Majemit në Florida dje për të diskutuar problemin dhe planin afat-gjatë të administratës së tij për të paksuar varësinë e Shteteve të Bashkuara tek nafta e importuar. Zoti Obama u tha studentëve se rritja e çmimeve është kryesisht pasojë e zhvillimeve në pjesë të tjera të botës.
Republikanët e opozitës thonë se zoti Obama nuk po bën sa duhet për të inkurajuar prodhimin e naftës në Shtetet e Bashkuara. Në debatin e mbrëmshëm mes kandidatëve republikanë për president, Njut Gingriç tha se shtimi i çmimeve të naftës do të çojë në uljen e ndjeshme të çmimit të benzinës.
Republikanët e kanë kritikuar gjithashtu presidentin se e ka shtyrë vendimin për të miratuar projektin Keystone Pipeline, për transportin e naftës nga Kanadaja në rafineritë e Shteteve të Bashkuara .
Dje në Majemi, zoti Obama i ironizoi kritikat e republikanëve. Ai tha se administrata e tij ka miratuar një sasi të pashembullt të prodhimit të naftës dhe gazit në vend. Por ai tha se vetëm më shumë çpime nuk do ta zgjidhnin problemin.
Presidenti bëri thirrje përsëri për mbështetjen e strategjisë së tij të përgjithshme për të pakësuar varësinë e Amerikës në naftën e huaj."Nëse duam që të mos jemi në mëshirën e këtyre zhvillimeve botërore, ne duhet të kemi një strategji që të përfshijë të gjitha burimet e mundëshme të energjisë në Amerikë. Patjetër naftë dhe gaz, por edhe energjinë e erës dhe diellit, energjinë bërthamore dhe biokarbure, si dhe të tjera” shtoi Obama.
Çmimet e benzinës në Shtetet e Bashkuara kanë kapur mesatarisht më shumë se 92 cent për litër. Më shumë se gjysma e amerikanëve që morrën pjesë në një sondazh të ri thonë se çmimet e karburantit mund të kapin edhe një dollar e 32 cent për litër këtë vit.
Analistët thonë se Florida, shteti i katërt më i populluar i Shteteve të Bashkuara, do të jetë një fushëbeteje e rëndësi të madhe në zgjedhjet presidenciale të nëntorit. Pas fjalimit që mbajti në Majemi, zoti Obama zhvilloi disa aktivitete për mbledhjen e fondeve në Florida.