Miqtë e Sirisë mblidhen nën Tunis

Zyrtarë të lartë nga 70 vendet perëndimore dhe arabe mblidhen sot në Tunis për takimin e ashtuquajtur “Miqtë e Sirisë”.
Raportet e disa mediave theksojnë se në qendër të takimit se do të jetë ultimatumi për presidentin e Sirisë, Bashar al-Asad: ose të zbatojë armëpushimin e menjëhershëm, që do të lejonte furnizimin e civilëve me ndihma, ose të vuajë pasojat që do të përcaktohen.
Takimi në kryeqytetin tunizian po ashtu pritet të njohë Këshillin Kombëtar të Sirisë si përfaqësues legjitim të këtij vendi.
Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillari Klinton, ka folur më në hollësi për takimin.
“Do të diskutojmë për një gamë të mundësive, nga sanksionet më të fuqishme deri te rritja e ndihmës humanitare për opozitën, e cila do të përfaqësohet në Tunis, në përpjekje për të përfaqësuar të gjithë sirianët”, ka thënë Klinton.
Tunizia pritet të propozojë një zgjidhje për krizën 11-muajshe në Siri, e cila përfshin vendosjen forcës paqeruajtëse dhe largimin e Asadit.
Rusia dhe Kina kanë votuar kundër rezolutës në Asamblenë e Përgjithshme, ashtu si dhe kundër dy rezolutave të tjera të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, që dënojnë dhunën në Siri.
Moska dhe Pekini nuk do të marrin pjesë në Konferencën e Tunisit, duke e quajtur atë “ndërhyrje të jashtme”.
Në Gjenevë, një komision i emëruar nga Këshilli për të Drejtat e Njeriut i Kombeve të Bashkuara ka thënë se Asadi mund të jetë përgjegjës për krime kundër njerëzimit.
Komisioni i hetimeve tha se edhe forcat rebele, të udhëhequra nga Ushtria e Sirianëve të Lirë, kanë kryer krime, ndonëse “jo në një shkallë të krahasueshme me qeverinë”.
Protestat anti-qeveritare në Siri kanë nisur në mars të vitit të kaluar. Prej asaj kohe, disa mijëra njerëz kanë humbur jetën në trazira.