Planet për Shkodrën, Basha mbledh diplomatët
Sipas Ministrisë së Brendshme, synimi i këtij takimi ishte parapërgatitja e një konference të zgjeruar donatorësh, e cila do të marë në shqyrtim financime të mundshme jo vetëm për projektet e vogla, por edhe për vepra të mëdha publike, siç është drenimi i lumit të Bunës për ta bërë të lundrueshëm dhe ndërtimi i një by pass të madh që do të shërbejë si për mbrojtjen e Shkodrës nga liqeni ashtu edhe si infrastrukturë rrugore moderne lidhëse mes akseve rrugore Shkodër-Hani i Hotit dhe Shkodër-Tiranë. “Është e rëndësishme që në hapin e parë të kryejmë rehabilitimin e dëmeve dhe riaftësimin e zonës së prekur nga përmbytja. Por ndërkohë në plan afatmesëm dhe afatgjatë qeveria Berisha synon kryerjen e veprave të mëdha infrastrukturore publike, që jo vetëm do të mbrojnë Shkodrën nga përmbytje si këto që ndodhën, por do të nxisin një zhvillim të qëndrueshëm dhe të shpejtë ekonomik të të gjithë Qarkut të Shkodrës”, tha ministri i Brendshëm, Lulzim Basha. Në këtë takim ishin të pranishëm, edhe kreu i Delegacionit të Komisionit Evropian Helmut Lohan, Zv.ambasadorja e OSBE Renate Hermans dhe Ambasador i Spanjës, Manuel Montobio. Tre personalitetet, u shprehën se do të mbështesin pranë institucioneve europiane financimin e projekteve që do të paraqiten nga qeveria shqiptare për rehabilitimin e plotë dhe riaftësimin e zonës së prekur nga përmbytja. Po kështu edhe përfaqësueset e Bankës Botërore dhe organizatave të OKB me seli në Tiranë, Nuamah dhe Cosslet, shprehën gatishmërinë për të mbështetur projektet që do të paraqiten nga qeveria shqiptare për qarkun e Shkodrës dhe të Lezhës. Përfaqësuesit e selive diplomatike të Italisë dhe Zvicrës garantuan gjithashtu se do të kërkojnë mbështetjen nga qeveritë e tyre për projektet që do të ndërmerren nga qeveria shqiptare në zonat e prekura nga përmbytja. Brenda javës së ardhshme Komiteti Ndërministror i Emergjencës Civile do të vendosë mbi projektet që do të dërgohen për miratim në Këshillin e Ministrave. Ndërkohë, takimi i zgjeruar i Komitetit Ndërministror të Emergjencës Civile me komunitetin e donatorëve u parashikua të zhvillohet brenda gjysmës së parë të muajit Shkurt.