Plani: Bregdeti i Jugut, epiqendra e turizmit shqiptar
Në strategjinë e planit për zhvillimin e bregdetit bëhet dhe analiza e zhvillimit të turizmit për këto zona. “Turizmi (së bashku me tregtinë shoqëruese dhe me shërbimet plotësuese) është planifikuar si sektor udhëheqës i ekonomisë rajonale dhe si katalizatori kryesor i rritjes së ekonomisë. Në këtë kontekst, mundësia e biznesit nuk është e mjaftueshme në vetvete: 1) Një klimë transparente investimesh, bashkë me: 2) procedurat e drejtpërdrejta të lejeve; dhe 3) një mjedis i qartë ligjor dhe rregullator janë, gjithashtu, thelbësore për Shqipërinë nëse ajo dëshiron të jetë një vend konkurrues për investimet qarkulluese të huaja dhe të brendshme”, - shkruhet në analizë. Sipas së njëjtës analizë është parashikuar rivitalizimi i industrive kryesore tradicionale, të tilla si bujqësia (kryesisht prodhimet e pemëtarisë dhe perimeve për treg) dhe peshkimi (ferma dhe pika të vogla artizanale të rritjes së peshkut për t’u shërbyer tregjeve lokale dhe pikave të vogla), së bashku me programet për të mbështetur artet dhe zanatet lokale dhe industritë me ndikim të ulët. Gjithashtu është konsideruar e rëndësishme që të mbështeten komunitetet e vogla e të mesme si ente të mundshme e të dobishme sociale dhe ekonomike. “Ndonëse nivelet e larat të rritjes ekonomike në disa zona (veçanërisht në Sarandë dhe tani në Ksamil) kanë nxitur ekonomitë vendore të pjesës jugore të rajonit bregdetar jugor, kjo është shoqëruar me shpopullimin dhe rënien e zhvillimit në zona të tjera, në të cilat popullsia në moshë të vjetër dhe nivelet e larta të emigrimit përbejnë kërcënim për qëndrueshmërinë e këtyre komuniteteve dhe për strategjitë shoqëruese të zhvillimit nënrajonal, duke përshirë edhe turizmin. Në të gjithë rajonin kërkohen politika të planifikimit të zhvillimit të përshtatura në mënyrë të veçantë që të trajtohet shpopullimi dhe krijimi i vendeve të reja të punës”, - shkruhet në studim.
BOX
Vendimi, ndërtimet jo më afër se 100 metra nga bregdeti
Këshilli Kombëtar i Rregullimit të Territorit në Republikën e Shqipërisë ka vendosur pak kohë më parë që të gjitha ndërtimet në zonat turistike të bëhen në distancën e 100 metrave larg bregdetit. KRRTRSH-ja, në mbledhjen e tij më të fundit, ka përcaktuar gjithashtu që të kontrollohen të gjitha ndërtimet që janë bërë deri tani në zonat bregdetare, për të parë nëse cenojnë apo jo planin urbanistik. Të gjitha ndërtimet që janë bërë 100 metra në afërsi të bregdetit do t‘u nënshtrohen shkatërrimeve, duke respektuar në këtë mënyrë turizmin, por edhe planin urbanistik të zonave bregdetare. Caktimi i planit të ndërtimeve për Jugun e vendit ka pasur si kryefjalën e saj zonat bregdetare. Kryeministri Berisha ka kërkuar gjatë mbledhjes së KRRTRSH-së që “pushteti vendor duhet të bëjë brenda pak muajve planet lokale të ndërtimit”. Të gjitha ndërtimet, të cilat duhet të jenë në përputhje me standardet e vendosura nga qeveria për resortet turistike, duhet të bëhen vetëm përtej distancës së 100 metra nga bregu i detit, ndërsa për zonat kodrinore, bashkitë duhet të kenë parasysh të gjitha kriteret, duke i respektuar me rigorozitet ato.
13 Gusht 2008