E Shtunë, 31 Tetor 2026

Plani “Obama” për punësimin rrit çmimin e naftës

Kontratat e të ardhmes së naftës në Nju-Jork u rritën me më shumë se 0.5%, pasi Obama i kërkoi Kongresit që të kalonte një propozim që do të injektonte 447 miliardë dollarë në ekonominë e përdoruesit më të madh të naftës në botë. Ky injektim do të bëhet përmes shpenzimeve në infrastrukturë, subvencioneve ndaj qeverive lokale për të frenuar pushimet nga puna të mësuesve dhe përgjysmimin e taksës mbi pagën që paguhet nga punonjësit dhe pronarët e bizneseve të vogla. “Gjatë muajve të ardhshëm situata do të jetë shumë e paqartë”, thotë Jeremy Friesen, një analist me bazë në Hong-Kong i “Societe Generale SA”. “Mund të ndodhë që çmimet të bien në rast se tregjet nuk e pëlqejnë atë që po ndodh. Por në rast se e pëlqejnë, tregu fizik i naftës bruto është mjaft i shtrënguar, ndaj kjo do të mund të mbështeste çmimet”. Nafta për dorëzimet në tetor fitoi 45 cent në 89.50 dollarë për fuçi në tregtimet elektronike në Bursën e Nju-Jorkut. Çmimet janë 3.2% më të larta këtë vit dhe 20% më të shtrenjta në krahasim me vitin e kaluar. Treguesi Brent për dorëzimet e tetorit u rrit me 40 cent, ose 0.4%, në 114.95 dollarë për fuçi në Bursën e Londrës. Nafta referencë europiane kontraktohet me një Premium prej 25.72 dollarësh ndaj kontratave të së ardhmes së SHBA-ve, në krahasim me rekordin prej 26.87 dollarësh që u arrit më 6 shtator. Tregtarët e naftës po blejnë mbrojtje kundër një kolapsi të çmimeve të stilit të vitit 2008, me opsionet që fitojnë vlerë në rast se nafta bruto e SHBA-ve bie deri në fund të vitit. Të dhënat e këmbimeve tregojnë për një rritje të interesit për opsionet që japin të drejtë për të shitur naftë me 50 dollarë për fuçi deri në dhjetor, pothuajse 40 dollarë poshtë niveleve aktuale. Blerësit përfshijnë menaxherë parash, si fondet e mbulimit, të cilat, pavarësisht një situate të fortë në treg, duan të shmangin katastrofën në rast se tregu vuan një përsëritje të 2008-s, kur kriza financiare bëri që treguesi West Texas intermediate të binte në 32 dollarë për fuçi në gjysmën e dytë të vitit. Frika është bërë më e fortë që nga muaji gusht, teksa evidencat për ftohjen e ekonomisë, së bashku me problemet për tavanin e borxhit të SHBA-ve kanë ndikuar negativisht besimin. Megjithatë, kërkesa globale për naftë ende pritet të rritet në një nivel rekord prej 89.5 milionë fuçish në ditë këtë vit, ndonëse Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë muajin e kaluar uli 100 000 dollarë për fuçi në ditë nga parashikimi i saj për shkak të çmimeve të larta dhe shqetësimeve të ngadalësimit.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›