Plani Veprimit për aktivitetin minerar, Prifti: Sigurimi i minatorëve, qëllim kryesor
Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Dritan Prifti, prezantoi sot Planin e Veprimit për disiplinimin e aktivitetit minerar në mbledhjen e Task Forcës së Bashkisë Bulqizë, e cila do të zbatojë këtë plan sipas urdhrit të përbashkët të dikasterit që ai drejton, Ministrisë së Financave, Ministrisë së Brendshme dhe të Punës. Në këtë mbledhje, ai ka sqaruar se qëllimi i Planit të Veprimit është parandalimi i rrezikut për aksidentet në miniera dhe dhënia fund e shfrytëzimit të kromit në mënyrë të paligjshme. Sipas tij, vetë kryeministri ka marrë shumë shqetësime që vijnë nga kjo zonë dhe ka qenë porosi e tij që katër ministrat të ndihmojmë në disiplinimin e këtij aktiviteti në këtë zonë minerare. “Jemi mbledhur bashkë, kemi bërë një Plan Veprimi që e kemi firmosur dhe sot bëjmë këtë paraqitje të tij, i cili do t’u vihet në dispozicion, për të nxjerrë secili prej jush detyrat përkatëse. Këtu janë të specifikuara detyrat e të gjithë aktorëve, duke filluar që nga prefekti, pushteti vendor, policia, tatimet, institucionet e inspektimit të minierave, të punës”, sqaroi Prifti. Sipas tij, të gjitha institucionet vendore kanë nga një rol dhe qëllimi kryesor i këtij Plan Veprimi është sigurimi i jetës së njerëzve. Ai tha se mbi të gjitha e kanë marrë këtë iniciativë për të garantuar dhe për të siguruar jetën e minatorëve dhe të njerëzve që punojnë aty. Më tej, ministri Ekonomisë vlerësoi se objektivi i dytë madhor që synohet të arrihet nëpërmjet zbatimit të Planit të Veprimit është disiplinimi i aktivitetit minerar në zonën e Bulqizës, kryerja e tij në përputhje me ligjin. Për të, rezervat e kromit përbëjnë një nga pasuritë më të mëdha që ka Shqipëria, ndaj ato duhet të përdoren në të mirën e vendit dhe komunitetit. “Kjo pasuri kombëtare i shërben komunitetit, por mirë është që t’i shërbejë në mënyrë të ligjshme dhe duke garantuar jetën e komunitetit”, tha ndër të tjera Dritan Prifti. Në fund të takimit, ai theksoi se arsyeja kryesore që cënohet siguria e jetës së minatorëve është aktiviteti i jashtëligjshëm, ndaj, nënvizoi ministri, aktiviteti i jashtëligjshëm në zonën minerare të Bulqizës të marrë fund në mënyrë urgjente.