Policia e Tiranës: Mitingu i djeshëm i PS-së, është zhvilluar pa një njoftim paraprak
Në lidhje me tubimin e datës 14 Maj 2010 të organizuar nga Partia Socialiste, Drejtoria e Policisë së Qarkut Tiranë, informoi opinionin publik se, ky tubim është organizuar nga në kundërshtim me Ligjin Nr.8773, datë 23.04.2001, “Për Tubimet”, duke mos bërë asnjë njoftim paraprak në Policinë e Tiranës sipas parashikimeve të neneve 5 dhe 7 të ligjit të mësipërm. Në një deklaratë për shtyp, zëdhënësja e policisë, Alma Katragjini, tha se ky tubim është zhvilluar pa një njoftim paraprak, Policia e Tiranës, mori të gjitha masat e nevojshme për garantimin e zhvillimit normal të tubimit dhe për sigurimin e rendit e qetësisë publike në të gjithë territorin e qarkut Tiranë. Ajo theksoi se në përfundim të tubimit, një grup prej 40-50 protestuesish goditën me gurë e sende të tjera të forta, punonjës të policisë, të cilët ishin të planizuar me shërbim për mbarëvajtjen e tubimit Për pasojë, bëri të ditur Policia e Tiranës, janë plagosur lehtë 5 punonjës policie, të cilët kanë marrë ndihmën e nevojshme mjekësore. “Nga strukturat e hetimit të krimit janë kryer të gjitha veprimet e nevojshme procedurale, janë siguruar pamjet filmike të ngjarjes dhe po punohet intensivisht për identifikimin e autorëve të goditjes së punonjësve të policisë. Materialet do t’i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprën penale të “Kundërshtimit të punonjësve të policisë së rendit publik”, parashikuar nga neni 236 të Kodit Penal”, sqaroi Katragjini. Në fund të komunikatës së saj për mediat, apeloi ndaj subjektive politike që të respektojnë dispozitat ligjore në lidhje me tubimet.