Plani franko-gjerman, Rama: Palët ta pranojnë me gjithë kurajën e tyre! Scholz: Ka përparim

Shqipëria dhe Gjermania i kanë bërë thirrje Serbisë dhe Kosovës të pranojnë propozimin europian për normalizimin e marrëdhënieve mes tyre.
Nga Berlini, kryeministri Edi Rama tha se të dyja palët duhet ta pranojnë këtë plan dhe ta trajtojnë me të gjithë kurajën e domosdoshme për të arritur një normalizim mes tyre.
“Diskutuam edhe për rajonin, Shqipëria mbështet fuqimisht planin e paqes dhe të normalizimit mes Kosovës dhe Serbisë, në këndvështrimin tonë është një plan shumë përmbajtjesor dhe shumë realist që sjellë normalizimin e nevojshëm dhe të shumëpritur dhe të cilin të dyja palët ta trajtojnë më seriozitet dhe me gjithë kurajën e domosdoshme”, tha Rama.
Edhe kancelari gjerman Olaf Scholz tha se ka përparime në dialogun mes Albin Kurtit dhe Aleksandër Vuçiç, dhe se me pranimin e planit franko-gjerman do bëhet realitet ajo që deri pak vite më parë dukej e pamundur.
“Janë bërë përparim të mëdha, po të shikosh edhe deklarata publike të dy palëve. Ky është një plan që mund të zbatohet dhe duhet të realizohet dhe jam i gëzuar që të arrijmë një rezultat konstruktive. Ndjesia ime është që mund të bëhet realitet ajo që nuk dukej si e mundur dhe kjo do ishte e mirë për zhvillimin e Kosovës dhe Serbisë”, tha Scholz.
Parimisht si Serbia dhe Kosova kanë rënë dakord me planin franko-gjerman gjatë takimit të tyre në Bruksel më 27 shkurt, por ende nuk kanë firmosur pasi kërkojnë të zhvillojnë diskutime të tjera.
/rtsh.al/