Plani i Ahtisarit pikënisja për vendosjen e Euleks-it

Ish-komandanti suprem i NATO-s, Uesli Klark në një intervistë për agjencinë INA të gjitha palët duhet të angazhohen për gjetjen e një zgjidhje për vendosjen e Euleksit në Kosovë. "Plani i Ahtisarit është pikënisja për vendosjen e Euleks, por nëse do të mund të bëhet diçka më e mirë, diçka që i bën ata më të bashkuar, diçka që ka më shumë legjitimitet ndërkombëtarë atëherë mendoj se duhet ta kërkojmë atë. Por, për ta arritur këtë, nevojitet lëvizje e vazhdueshme nga BE dhe OKB-ja, Qeveria e Serbisë dhe institucionet e Kosovës", theksoi për agjencinë INA ish-gjenerali amerikan dhe njëherit anëtar i Partisë Demokrate në SHBA.
Ai është shprehur kundër ndarjeve dhe ndryshimeve të kufijve në rajon, duke përmendur veriun e Kosovës, Luginën e Preshevës dhe Maqedoninë.
"Mendoj se administrata e re e din mirë rëndësinë e Ballkanit, është i rëndësishëm jo vetëm për siguri dhe stabilitet në Evropë por edhe në përparimin e paqes dhe demokracisë. Kështu që pres se ju do të shihni një politikë amerikane më aktive dhe në mënyrë konstruktive", theksoi ish-komandanti suprem i Aleancës, Uesli Klark. Në intervistën për agjencinë e lajmeve INA të realizuar në Nju Jork, Klark flet edhe për përkushtimin e SHBA-ve për çështjen e Kosovës dhe shqiptarëve në rajon, prioritetet e administratës së re të presidentit Barak Obama si dhe për mundësinë e përfshirjes së tij në administratën e re amerikane.