Plani i Bregdetit, Braçe-Olldashi, debat në Kuvend
Plani urbanistik i bregdetit, projekt i Bankës Botërore, u bë shkak mbrëmë për një debat mes ministrit të Transporteve, Sokol Olldashi, dhe nënkryetarit të grupit parlamentar të PS-së, Erion Braçe. Ministri Olldashi e mbrojti atë duke thënë se plani është mbi kritere ligjore, ndërsa akuzoi ish-qeverisjen e majtë për praktikat e saj të mëparshme klienteliste. Por z. Braçe hodhi akuza në adresë të qeverisë që sipas tij, planin po e shfrytëzon për interesa personale. Ai tha se ka pasur abuzime me trojet në bregdet. “Qeveria familjare u shkatërroi në mënyrë të paligjshme shtëpitë, bizneset e tyre, duke i kthyer sërish në varfëri ekstreme. Faktet e treguara këtu në Kuvend zbuluan shtatë muaj më pas se shkatërrimi i atyre pronave qe i qëllimshëm, për t’i hapur rrugë ndërtimit të një resorti turistik”, - tha Braçe. Por i menjëhershëm ishte reagimi i ministrit Olldashi. Ai u kundërpërgjigj duke thënë: “Ka pasur realisht një plan klientele të vitit 2005, përpara zgjedhjeve të tre korrikut dhe ky ka qenë plani i hartuar nga sekretari i Asamblesë së Partisë Socialiste, ish-zëvendësministri i Territorit, z. Artan Lame. Një plan që në zonën e Jalës parashikonte ndërtimin e resorteve turistike për interesa të dy botuesve shumë të afërt me kryetarin aktual të Partisë Socialiste”, - tha Olldashi. Debati u acarua kur Braçe akuzoi qeverinë për abuzime, duke përmendur raportin e Bankës Botërore. “Është raporti i parë në 18 vjet dhe është hetimi i parë në 18 vjet që Banka Botërore ndërmerr për një prej projekteve të saj në Shqipëri”, - deklaroi Brace. Por ministri Olldashi u kundërpërgjigj duke thënë se deputeti i PS-së po i referohet një raporti që nuk ekziston. “Raporti që u përmend këtu nuk është raporti i Bankës, është një raport i një zyre të Bankës, që quhet Paneli i Inspektimit, i cili akoma nuk ka marrë formën e vet përfundimtare, i cili në asnjë rrethanë nuk ka asnjë problem me qeverinë shqiptare, po ka problem me vetë strukturat e Bankës”, - u kundërpërgjigj Olldashi. Ministri Olldashi theksoi më tej se plani i bërë para vitit 2005 nga qeverisja socialiste ishte klientelist dhe e quajti plani “pullali”. Ai tha se plani i qeverisë së sotme ka vendosur kritere ligjore. “Kjo qeveri e rrëzoi menjëherë dhe imponoi përcaktimin vetëm të kritereve dhe parimeve mbi të cilat vetë bashkitë dhe komunat e bregut do të hartojnë planet rregulluese”, - tha Olldashi. Ai shpjegoi më tej bashkëpunimin me Bankën Botërore, si detyrimi i Koordinatorit Kombëtar të Projektit, fotografimi ajror i zonës së përfshirë në studim dhe përcjellja e të dhënave si pranë Bankës Botërore, ashtu edhe pranë institucioneve shqiptare. Deputeti i PS-së, Braçe, akuzoi më tej qeverinë se janë prishur ndërtime në bregdet jo në mënyrë ligjore, madje akuzoi se ka pasur ndërtime të favorizuara. Ministri Olldashi u kundërpërgjigj duke thënë se janë ndërmarrë prishje ndërtimesh pa leje në shumë zona të bregdetit si detyrim i patjetërsueshëm i qeverisë shqiptare për zbatimin me përpikmëri të ligjit në të gjithë territorin e vendit dhe në mënyrë të barabartë ndaj kujtdo.