Fituesit, sot ndarja e parave në bankë
Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave shpalli dje 163 ish-pronarë fitues të kompensimit financiar prej 5 milionë dollarësh. Drejtori i AKKP-së, Elvis Cefa, bëri të ditur përmes një konference për shtyp se nga 740 kërkesa për këtë kompensim, vetëm 163 subjekte u kualifikuan për të përfituar në bazë të vendimit të qeverisë. “Në përfundim të seleksionimit, nga 740 kërkesa të administruara, kanë rezultuar fitues nga fondi i kompensimit i vitit 2008, 163 subjekte të shpronësuara sipas renditjes kronologjike”, - tha Cefa. Drejtori i AKKP-së shpjegoi më pas edhe arsyet se pse aplikuesit e tjerë kishin humbur këtë mundësi. “Subjektet të cilët kanë paraqitur vendime të ish-komisioneve që datojnë para datës 26 korrik 1995 dhe nuk janë në listën e fituesve, janë skualifikuar për arsye se kanë pasur vendime për kthim prone, janë trajtuar ata vetë apo një pjesë e trashëgimtarëve të tyre me tokë nga ligji 7501, kanë pasur probleme thelbësore hartografike në vendimet e tyre ose kanë pasur mungesa të dëshmive të trashëgimisë për të gjithë trashëgimtarët e subjektit përfitues që nuk jetojnë më”, - deklaroi Cefa. Drejtori i AKKP-së bëri të ditur më pas procedurën e ndarjes së shumës financiare. Ai ftoi fituesit të paraqiten në zyrat e AKKP-së për të dhënë numrin e llogarisë bankare ku do të derdhen paratë e fituara nga ky proces. “AKKP-ja fton të gjitha subjektet e shpronësuara përfituese sipas listës së mësipërme, që duke filluar nga data 3 shkurt 2009 (sot) të paraqiten pranë AKKP-së për të depozituar numrin e llogarisë në të cilin do të bëhet derdhja e shumave respektive”, - tha Cefa. Ai më pas premtoi se aplikuesit që nuk kanë arritur të fitojnë nga ky fond, kanë shpresa për të përfituar nga kompensimi i dytë prej 6 milionë dollarësh i cili do të ndahet para muajit qershor. Drejtori Cefa ftoi subjektet që kanë pasur mungesë dokumentacioni që të plotësojnë mangësitë. “AKKP-ja fton personat që kanë aplikuar, por që rezultojnë jofitues të fondit të vënë në dispozicion për vitin 2008, që me daljen e VKM-së për procedurat e shpërndarjes të fondit të kompensimit financiar të vitit 2009, të paraqesin në AKKP vetëm kërkesën dhe deklaratën me shkrim. Këta persona nuk do të paguajnë tarifën e përcaktuar. AKKP-ja fton personat, dokumentacioni i të cilëve ka rezultuar me mangësi hartografike, që të paraqesin menjëherë kërkesën e tyre në AKKP për saktësimin e hartave në mënyrë që të riklasifikohen për t’u trajtuar me kompensimin financiar të radhës. Të gjithë aplikuesve do t’u dërgohet në adresat e depozituara vendimi i AKKP-së për kompensimin financiar, në të cilin do të jenë edhe të gjitha sqarimet e nevojshme”, - tha Cefa. Në listën e fituesve ka edhe përfitues nga rrethet e tjera. Në vitet e mëparshme, për shkak të mungesës së hartës së vlerës së tokës, fituesit ishin vetëm nga Tirana. Në listën e fituesve të vitit 2008, ka edhe mjaft fitues nga rrethet e tjera.